Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku i ftuar në “Arena” nga Dritan Hila në Ora Neës, ka deklaruar se ekonomia ishte pika më e dobët e qeverisë në 4 vitet e shkuara.
Sipas tij Pavarësisht mund të ketë pasur një rritje të vogël punësimi, Buxhuku thotë se 240 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi.
“Qeverisja e 4 viteve të kaluara nëse ka pasur një pikë të dobët ka pasur ekonominë. Punësimi, mirëqenia dhe shpresa për të ardhmen ishin një disfatë e madhe. 240 mijë veta shkuan në emigracion. Një popullsi në rënie tregon se situata nuk është pozitive, por nuk merr as notë kaluese. Mirëqenia është ulur me 2%. 6 mujori i këtij viti me 6 mujorin e vitit të kaluar, kemi rënie.
Pensionet nuk u rritën, as rritjen normale për shkak të inflacionit. Mesatarja e 4 viteve nuk e kalon 2.2 të rritjes ekonomike në kushtet kur more 1.4 miliardë dollarë borxhe. Përjashtuar sektorin energjetik, shto faktin e çuditshëm që kërkesa për kreditim kishte nivelet më të ulëta historike. Të gjithë këta elementë çojnë në atë që nuk ndryshojnë shumë politikat. Fakt është që përshtypja e parë vazhdonte me kokëfortësi e njëjta linjë politike”, tha ai.
(B.H/Shuplaka)