Tre persona janë arrestuar nga forcat e policisë për vrasjen e 50-vjeçares Drita Saliaj në Gjerbës të Mallakastrës.
Sipas njoftimit të policisë, 50-vjeçarja është vrarë nga nipi i burrit të saj dhe dy shokët e këtij të fundit, të cilët janë futur në banesën e saj për të vjedhur në natën e 5 janarit.
Por kur Drita Saliaj i ka pikasur dhe ka bërë rezistencë ndaj tyre, ata e kanë vrarë. Trupi i saj i pajetë u gjet në një rezervuar në Gjerbës.
Sipas informacioneve, Drita Saliaj jetonte e vetme sepse burrin dhe djemtë i kishte në Greqi. Një prej autorëve është identifikuar si Ervis Zotaj, 26 vjeç, i cili ishte shoku i nipit të viktimës.
Njoftimi i plotë i policisë:
Policia zbardh në kohë rekord ngjarjen e ndodhur në datë 05.01.2020 në fshatin Gjerbës. Arrestohen 3 shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes së 50 vjeçares. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në Komisariatin e Policisë Mallakastër janë paraqitur familjarët e shtetases D. S, 50 vjeçe, të cilët denoncojnë largimin nga banesa të 50-vjeçares.
Pas marrjes së denoncimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër në bashkëpunim me strukturat policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier organizuan punën dhe në kohë rekord zbardhën ngjarjen. Pas hetimeve të kryera rezultoi se nipi i shtetases së humbur( djali i vëllait të burrit), në bashkëpunim me 2 shokë të tij, në datën 05.01.2020 kanë shkuar për të vjedhur në banesën e 50-vjeçares dhe pas rezistencës të hasur nga kjo e fundit, e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit Gjerbës.
Në vijim të punës për zbardhjen e plotë të ngjarjes, nga shërbimet e policisë Mallakastër dhe Polumbarët e Repartit Special Renea u gjet në rezervuar trupi i pajetë i shtetases D. S. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, arrestuan shtetasit: L. S., 16 vjeç, banues në Gjerbës,.S. Sh., 16 vjeç, banues në Çërrillë, dhe E. Z., 26 vjeç, banues në Gjerbës, Mallakastër. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprime të mëtejshme.