Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, bën me dije se ka nisur hetimi ndaj procesit të marrjes dhe zbatimit të Urdhërit të Mbrojtjes për viktimën, Liljana Rukajn. Gruaja që vetëm dy ditë më parë u hodh nga kati i katërt i pallatit prej bashkëshortit të saj, Ferdinand Rukaj.
“Tashmë zyrtarisht ka një hetim të çelur ndaj procesit të marrjes dhe të zbatimit të Urdhërit të Mbrojtjes për Liljana Rukajn. Përshëndes prokurorinë dhe e nxis atë të zbardhë këtë çështje jo vetëm për të evidentuar përgjegjësit, por edhe për të disiplinuar sjelljen shtetërore për raste të tjera! Ky ishte reagimi i duhur! Këtë gjë kërkova që dje. Tani tja lëmë drejtësisë në dorë!”, shkruan Manjani.
Ngjarja në Fier nuk ka tronditur vetëm banorët e këtij qyteti, por gjithë sistemin e drejtësisë. “Një urdhër mbrojtje” i lëshuar por i pa dorëzuar në forcat e policisë që pritej ta ekzekutonin atë, është bërë jo më kot ngjarja kryesore e këtyre ditëve. Gjykata ka pranuar që ka lëshuar një urdhër mbrojtjeje për Liljana Rukajn, e cila një muaj më parë kishte denoncuar të shoqin se ushtronte dhunë ndaj saj, por policia e Fierit mohon që tek ata të ketë mbërritur një urdhër i tillë.