“Bisedimet e paqes për luftën në Ukrainë mund të fillojnë këtë dimër”, tha kryeministri polak Donald Tusk. Kryeministri polak iu referua një sërë takimesh të planifikuara lidhur me situatën në Ukrainë, me Varshavën që duket se do të marrë një rol kyç në përfundimin e konfliktit Rusi-Ukrainë.
Polonia është një nga mbështetësit më të vendosur të Kievit që kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022. Kryeministri Donald Tusk tha se Varshava do të përfshihet në çdo bisedim kur të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian duke filluar nga 1 janari. “Unë do të kem një seri bisedimesh që do të kenë të bëjnë kryesisht me situatën përtej kufirit tonë lindor,” tha Tusk në një mbledhje të kabinetit.
“Siç mund ta imagjinoni, misioni ynë do të jetë bashkërisht përgjegjës, ndër të tjera, për formën e agjendës politike, ndoshta për atë që do të jetë situata gjatë negociatave, të cilat edhe pse mbeten pikëpyetje, mund të fillojnë në dimër të këtij viti”.
Tusk tha se presidenti francez Emmanuel Macron do të vizitojë Varshavën të enjten për ta përditësuar atë mbi bisedimet me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky që mbajti në Paris fundjavën e kaluar. Ai tha se është në komunikim të vazhdueshëm me vendet e Evropës Veriore dhe Baltike që janë aleatë të Varshavës dhe se kryeministri britanik Keir Starmer do të vizitojë Varshavën gjatë ditëve të para të presidencës së Polonisë në BE.