Anduel Tahiraj, kreu i Partisë Socialiste në Vlorë del kundër Koço Kokëdhimës, ish-deputetit të Partisë Socialiste që ka nisur të realizojë disa takime të rëndësishme në jug.
Kokëdhima e ka pohuar me gojën e tij se do vazhdojë të kontribuojë në politikë dhe për të majtën por është pikërisht Tahiraj që e quan punën e tij ”lëvizje që dëmton angazhimet e PS”-së.
KOMENTI I PLOTË DHE DISTANCIMI I TAHIRAJT NGA KOKËDHIMA:
Miq Socialistë, themelues dhe simpatizantë të partisë tonë të madhe .
Ju drejtohem juve që keni luftuar ndër vite të vështira opozitare dhe ju të rinj që besoni në idealin tonë të përbashkët.
Duke marrë shkas nga disa lëvizje të çrregullta, të cilat ditët e fundit po bëhen në emër të socialistëve, dua t’u garantoj se strukturat drejtuese të Partisë Socialiste në Vlorë nuk janë bërë dhe nuk do të bëhen për asnjë moment pjesë e asnjë takimi apo lëvizje që dëmton angazhimet prioritare të përcaktuara nga kryesia e Partisë Socialiste dhe baza e saj. Këto lëvizje bëhen nga individë të caktuar dhe nuk përkojnë me orientimin e Partisë tonë.
I denoncoj fort këto veprime, të cilat nuk i shërbejnë frymës së shëndoshjes, fuqizimit dhe bashkimit të mëtejshëm të të gjithë faktorëve dhe aktorëve, duke synuar rritjen dhe forcimin tonë, për një fitore të thellë në Vlorë në zgjedhjet e vitit 2017.
Çdo anëtar dhe simpatizant, që nga ata të viteve 1991 dhe deri te ai që është afruar sot me ne, të jemi të bashkuar për të korrur një fitore të thellë në zgjedhjet e ardhshme.