Tifozët e Kukësit të cilët bojkotuan pjesëmarrjen në stadium gjatë kur luante Kukësi për shkak se nuk u pajtuan me ardhjen e serbit Milinkoviç në krye të stolit të verilindorëve.
Por tifozët ultras kanë vendosur t’i japin fund bojkotit dhe të kthehen në stadium për të ndjekur skuadrën e zemrës.
Pas takimit që kanë patur me drejtuesit e klubit anëtarët e tifo-grupit “Mërgata” kanë deklaruar se do të rikthehen në stadium. Megjithatë mbetet ende një qëndrim i kundërt në lidhje me trajnerin Milinkoviç, i cili nuk gëzon simpatinë e tyre.
Kampionët e Shqipërisë do të kenë si mbështetje tani dhe lojtarin e 12-të për të përballuar një kampionat mjaft të vështirë ku do të kërkojnë të ruajnë titullin kampion.
“Për Kukësin, me Kukësin, vetëm Kukësin! Pas një takimi qe kemi pasur me organet më të larta drejtuese të klubit kemi arritur që me një marrëveshje të ndërmjetme të rikthehemi në stadium. Na janë plotësuar disa nga kushtet tona edhe pse më kryesori, ai i largimit të Milinkoviç nga ana e klubit u pa si e paarsyeshme. Shumë shpejt Mërgata e Armata do kenë sektorin e tyre në stadium, dhe nëpërmjet fillimit të antarësimeve do krijojmë një grup kompakt ultrasish. Ndaj ata që na kritikuan gjatë këtij bojkoti jo vetëm i ftojmë por e kanë detyrim të jenë anëtarë dhe të kontribuojnë realisht në mbështetje të ekipit. Pavarësisht kësaj Mërgata mban qëndrim të distancuar nga vendimi i klubit për afrimin e Milinkoviç dhe gjithmonë do jetë kështu. Mërgata, 27 shtator 2017”, përfundon njoftimi i ultrasve të Kukësit. (B.H/Shuplaka)