Pasditen e sotme në Vlorë kanë mbetur të vdekur 2 persona pas një atentati mafioz. Bëhet fjalë për drejtorin e OSHEE-së Roland Saliu dhe pronarin e një televizioni lokal në Vlorë, Ervent Hyseni.
Ndërsa i pari mbeti i vdekur në vend, ky i fundit u dërgua në spitalin rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore, mirëpo nuk arriti t’i mbijetonte dot plagëve të rënda.
Ervent Hyseni është pronari i Vlora Channel, por edhe i lokalit ku ndodhi ngjarja te “Sheshi i Flamurit”. Ai mendohet se ka qenë shënjestra e atentatit të sotëm.
Autorët e krimit mendohet t’i kenë qëlluar Saliun dhe Hysenin me një breshëri armësh nga një automjet në lëvizje. Ndërsa policia ka zbuluar edhe një mjet të braktisur në rrugën e vjetër të Panajasë, që mendohet të jetë përdorur nga ata. Në vendin e ngjarjes shihen edhe një biçikletë dhe një palë shapka.
Policia ka blinduar qytetin në të gjitha hyrjet dhe daljet. Mendohet se autorët janë larguar nëpër fshatrat e qytetit bregdetar. (D.D/Shuplaka)