Fatos Ajvazi përveç punës prej prokurorit në Prokurorinë Themelore të Prizrenit ishte i autorizuar në 10 biznese të tjera private, derisa iu “tërhoq” vërejtja përmes një shkrese zyrtare të lëshuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) se gjendja e tij mund të përbënte konflikt të mundshëm interesi.
Por Ajvazi ishte zotuar se që nga marrja e detyrës së prokurorit në Prokurorinë Themelore të Prizrenit ka hequr dorë nga autorizimi në këto biznese.
Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka mbyllur rastin e prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit Fatos Ajvazi, i cili dyshohej për konflikt interesi për shkak të autorizimit në 10 biznese private.
Në vendimin e Antikorrupsionit, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se rasti i Ajvazit është mbyllur për shkak se zyrtari i lartë e ka shmangur gjendjen e konfliktit të interesit.
“Rasti i hapur nën dyshimin e bazuar për konflikt interesi në ushtrimin e funksionit publik për zyrtarin e lartë z. Fatos Ajvazin, prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit dhe njëkohësisht person i autorizuar në bizneset private ‘Antika 01’, ‘Pizzeria Napoli’, ‘D-Group’, ‘Billbordat’, ‘Karrota Ads’, Shkolla e Mesme Profesionale, ‘Heron & Adea’, ‘Alta Group’, ‘Stroka-Kos’ dhe ‘Isprigs’, është trajtuar sipas procedurës së paraparë në Ligjin Nr. 04/L-051 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik”, thuhet në vendimin e AKK-së.