Kuvendi i Shqipërisë ka rihapur garën dhe u ka bërë thirrje kandidatëve të shoqërisë civile që të aplikojnë për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ0 dhe atij të Prokurorisë (KLP), në kuadër të reformës në drejtësi.
Afati i dorëzimit të dokumenteve është 1 prilli, ndërsa kërkesat duhet të dërgohen në adresën [email protected].
Kriteret për kandidatët e rinj të shoqërisë civile për anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor
Bazuar në nenet 55 dhe 276 pika 8 të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit me vendimin nr. 3, datë 17.03.2017, rishpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit nga kandidatët e rinj të shoqërisë civile për vend vakant për një anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e anëtarëve të organizatave të shoqërisë civile.
Njoftohen anëtarët e organizatave të shoqërisë civile që janë të interesuar të kandidojnë për anëtarë të KLGJ dhe që plotësojnë kushtet e parashikuara në nenin 54, pika 2 të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, që brenda datës 1 Prill 2017, të shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Avokatit të Popullit.
Krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit bashkëngjisin, të paktën, dokumentet e mëposhtme:
a) jetëshkrimin e përditësuar;
b) një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;
c) formularin e vetëdeklarimit sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;
ç) një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore që nuk kanë qenë anëtarë ose bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
d) një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të ndonjë shërbimi sekret;
dh) çdo dokument tjetër që vërteton përmbushjen e kushteve ligjore të parashikuara në nenin 54, pika 2 të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Ka të drejtë të kandidojë çdo anëtar i organizatës së shoqërisë civile që plotëson kushtet e nenit 54, pika 2 të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe që siguron mbështetjen e së paku tre organizatave të shoqërisë civile, që punojnë në fusha të lidhura me sistemin e drejtësisë ose të drejtat e njeriut.
Shprehja e interesit dhe dokumentet shoqëruese duhet të dërgohen në adresën elektronike [email protected], si dhe në adresën postare të Avokatit të Popullit: Blv. “Zhan D’Ark”, Nr. 2, Tiranë.
Kriteret për kandidatët e rinj të shoqërisë civile për anëtar të Këshillit të Prokurorisë
Bazuar në nenet 153 dhe 279 pika 8, të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, me vendimin nr. 3, datë 17.03.2017 rishpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit nga kandidatët e rinj të shoqërisë civile për vend vakant për një anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e anëtarëve të organizatave të shoqërisë civile.
Njoftohen anëtarët e organizatave të shoqërisë civile që janë të interesuar të kandidojnë për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe që plotësojnë kushtet e parashikuara në nenin 152, pika 2, të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, që brenda datës 1 Prill 2017, të shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Avokatit të Popullit.
Krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit bashkëngjisin, të paktën, dokumentet e mëposhtme:
a) jetëshkrimin e përditësuar;
b) një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;
c) formularin e vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;
ç) një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore që nuk kanë qenë anëtarë ose bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
d) një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të ndonjë shërbimi sekret;
dh) çdo dokument tjetër që vërteton përmbushjen e kushteve ligjore të parashikuara në nenin 152, pika 2, të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Ka të drejtë të kandidojë cdo anëtar i organizatës së shoqërisë civile që plotëson kushtet e nenit 152, pika 2 të ligjit (cituar më sipër) dhe që siguron mbështetjen e së paku tre organizatave të shoqërisë civile, që punojnë në fusha të lidhura me sistemin e drejtësisë ose të drejtat e njeriut
Shprehja e interesit dhe dokumentet shoqëruese duhet të dërgohen në adresën elektronike [email protected], si dhe në adresën postare të Avokatit të Popullit:Blv. “Zhan D’Ark”, Nr. 2, Tiranë (M.D/ Shuplaka)