Presidenti Ilir Meta ka dekretuar tre ligje të cilat janë miratuar në Kuvend.
Bëhet me dije se Meta ka dekretuar me shpallje Ligjin nr. 82/2020 “Për ratifikimin e ndryshimit të protokollit II të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, të ratifikuar me ligjin nr.9733, datë 14.5.2007, në lidhje me përkufizimin e konceptit “Produkte origjinuese” dhe “Metoda e bashkëpunimit administrativ””.
Ky ndryshim miraton vendimin që zëvendëson Protokollin II të rregullave të origjinës me Konventën rajonale për rregullat preferenciale Pan-Euro-Mediterane, duke plotësuar kudarin ligjor për të patur të njëjtat rregulla të origjinës me vendet nënshkruese të kësaj Konvente.
Po ashtu Meta ka dekrektuar edhe Ligjin nr. 83/2020 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e ndryshuar të Organizatës Europiane të Telekomunikacioneve Satelitore (EUTELSAT)”.
Miratimi i këtij ligji synon përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga angazhimet në marrëveshje ndërkombëtare ku Shqipëria aderon në fushën e komunikimeve elektronike, ndërkohë që Shqipëria, edhe pse anëtare e EUTELSAT-it që prej vitit 1992, nuk kishte aderuar ende në këtë Konventë të ndryshuar, që është ratifikuar/pranuar nga 44 shtete të saj.
Ligji i tretë që ka dekretuar është Ligji nr. 84/2020 “Për pranimin e vendimit II/1 të palëve, që ndryshon “Konventën e Aarhusit për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”, ratifikuar me ligjin nr.8672, datë 26.10.2000”.
Miratimi i ndryshimit të Konventës së Aarhusit, ratifikuar nga shteti shqiptar që në vitin 2000, shkon në përputhje me frymën e Bashkimit Europian për transparencë dhe tërheqje të publikut në vendimmarjet që merr shteti, për transparencë tashmë edhe në fushën e vendimmarrjeve për organizmat e modifikuara gjenetikisht.