Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të ish deputetit të PD Gerti Bogdani.
Ndërkohë që ishte në një konferencë për mediat, ai ka marrë edhe lajmin për ndarjen nga jeta të Bogdanit.
Ky lajm i zi në këtë moment më erdhi këtu në tavolinë. Ky është një lajm shokues. Gerti Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time, njëri nga personalitetet e reja të PD-së më të njohura, më të shquara. Ka qenë një politikan demokrat, me civilitet, me formim me përgatitje, me ndershmëri, me urtësi, në shkallën më të lartë. Kjo është një humbje e madhe për PD-në, por është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare. Gerti Bogdani ishte nga ata të rinj, pasardhës i një familje të shkëlqyer, të rreshtuar që në fillime me PD.
I shkolluar me rezultatet më të larta në shkollat më të mira të SHBA. Ai midis një të ardhme në vendin ku u shkollua, ku kaloi vitet e rinisë studentore, dhe kontributet për vendin e tij dhe PD, zgjodhi këtë të fundit. Ky lajm shokues për mua dhe çdo demokrate e demokrat, por edhe çdo qytetare e qytetar që e ka njohur Gerti Bogdanin më erdhi në këtë moment si rrufe ne qiell të hapur. Dy net më parë e kam ndjekur në një studio televizive. Mendoj se në rast se ka një njeri që njoh unë, i cili tek çdo qytetare dhe qytetar, mik, shok i njohur, ka lënë vetëm përshtypje pozitive në çdo takim, në çdo komunikim, ky është Gerti Bogdani, ndaj dhe ju ftoj të ngrihemi dhe të mbajmë 1 minutë heshtje kujtimin e ndritur të këtij personaliteti të shquar, të ri, të PD.
I paharruar kujtimi i tij!
Berisha ka kërkuar mbajtjen e një minuti heshtjeje, duke përfunduar kështu edhe konferencën para kohe.