I ftuar në ABC News, deputeti i LIBRA-s, Ben Blushi, ka folur për lirimin e Lulzim Berishës, temë e cila ka qenë në qendër të debateve në seancën e sotme parlamentare.
Sipas tij, kjo është diçka e paralajmëruar duke marrë për shembull kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi.
“Një kryetar bashkie ka kërkuar lirimin e një vrasësi i dënuar për 5 vrasje. Nuk besoj se ka gjë më irrituese. Kështu do të fliste çdo shqiptar jashtë parlamentit. Kjo që ka ndodhur me Bashkinë e Durrësit është e paralajmëruar, nuk është rrufe në qiell të hapur. Ka ndodhur me kryetarin e Bashkisë Kavajë, i dënuar, por është prapë në detyrë. Partia që e zgjodhi duhej ta largonte. Kjo është një histori e përsëritur. Më vjen mirë që jam larguar nga këta njerëz. Kam ikur se nuk mund të prisja këta njerëz që janë shfrytëzues dhe ushqejnë krimin në Shqipëri”, tha Blushi.
Sipas tij, kryeministri nuk mund të mbrojë njerëzit e inkriminuar.