Kabineti i Izraelit do të mblidhet për të votuar për një marrëveshje armëpushimi në Liban të martën, tha zëdhënësi i kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu për CNN.
Netanyahu sinjalizoi miratimin e tij të mundshëm për armëpushimin me Hezbollahun gjatë një konsultimi për sigurinë me zyrtarët izraelitë të dielën mbrëma, thanë burime nga Izraeli.
Ndërkaq Izraeli ka ende rezerva për disa detaje të marrëveshjes, të cilat pritej t’i transmetoheshin qeverisë libaneze të hënën.
Këto dhe detaje të tjera janë ende duke u negociuar dhe burime të shumta theksuan se marrëveshja nuk do të jetë përfundimtare derisa të zgjidhen të gjitha çështjet.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Amos Hochstein, tha në Bejrut javën e kaluar se një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Libanit ishte “në tryezë”, por që në fund të fundit ajo është “vendimi i palëve”.
Izraeli nisi një ofensivë të madhe ushtarake në Liban në mesin e shtatorit, pas disa muajsh të sulmeve kufitare, të cilat filluan më 8 tetor të vitit të kaluar kur Hezbollahu sulmoi territorin e kontrolluar izraelit në solidaritet me Hamasin dhe palestinezët në Gaza.
Që prej asaj kohe, Izraeli ka nisur një pushtim tokësor, ka vrarë një numër të konsiderueshëm liderësh të Hezbollahut – duke përfshirë një nga themeluesit e tij, Hassan Nasrallah.