Punonjësit e policisë, që gjatë procesit të vlerësimit të njohur si Vetting-u, do të japin deklarime apo informacione të rreme, do të përjashtohen nga radhët e uniformave blu. Kështu parashikohet në nenin 60 të projektligjit të Vetting-ut për Policinë, i përgatitur nga Ministria e Brendshme.
Përjashtime nga policia parashikohen edhe në raste të tjera ku përfshihet: fshehja e pasurisë, mungesa e justifikimit ligjor të pasurisë që do të sjellë automatikisht largimin e çdo punonjësi nga uniformat blu.
Zbulimi i lidhjeve apo kontakteve të konsideruara të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, do ta bëjë të pamundur vijimin e detyrës për një punonjës policie. Ata janë të detyruar t’i nënshtrohen testimit për varësinë ndaj drogës, alkoolit dhe lojërave të fatit.
Testime pritet të ketë edhe në karakterin psikologjik nëpërmjet makinës së të vërtetës. Refuzimi i kryerjes së testeve shtesë, mund të jetë shkak për largimin nga detyra të punonjësit të policisë.
Por njëlloj si në rastin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, edhe punonjësit e policisë që nuk dëshirojnë t’i nënshtrohen Vetting-ut janë të lirë të japin dorëheqjen.
Sipas draftit të hartuar, ata duhet të largohen jo më vonë se 30 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit. Në këtë rast të gjithë të dorëhequrit, do të kenë mundësinë të trajtohen me pagë kalimtare, shkruan ‘’Tv Klan”.
Por të gjithë ata punonjës policie që do të kalojnë fazën e parë të Vetting-ut, nuk do ta mbyllin me kaq. Kjo pasi në dispozitat kalimtare parashikohen që kontrolle dhe vlerësime të tilla të ngjashme që mund të bëhen në mënyrë periodike. Gjithsesi projektligji mbetet ende në fazën e diskutimeve dhe tashmë po shqyrtohet nga institucionet e ndryshme.