Për debatin e mbulimit të Skënderbeut që pushtoi rrjetet sociale që prej ditës së djeshme Klevi Pojana i ka quajtur sjellje antikombëtare dhe antifetare. Fokusin e tij kryesor e ka vënë te debati që sipas tij ishte një patriotizëm akut.
“Gëzuar! Kombi dhe feja janë dy gjëra që marrin vlerë vetëm përkrah dhe kur e zhvillojnë njëra-tjetrën! Me dashuri, tolerancë dhe shumë besim ju lutem të mos na e shpifni më me sjellje antikombëtare dhe antifetare, përshembull sic ishte ajo e tipit : -Je susis Scanderbeg! Ps. Herë tjetër se jam i sigurt që disa nuk do të shteren në mediokritet të paktën të shprehen shqip për patriotizmin e tyre akut!”, shprehet Pojana.
Ai është shprehur që ky debat ishte një fantazi e çmendur, pjellë e një mendje antishqiptare për të nxitur një debat me prapavijë fetare-politike.
“Disa syresh që historinë e përdorin dhe e tjetërsojnë sipas oreksit u nxitën nga një fantazi e cmendur, pjellë e një mendje antishqiptare për të nxitur një debat me prapavijë fetare-politike!
U përdor në këtë rast figura dhe emri i heroit tonë kombëtar, qëllimi është i qartë, të tejkalohet cdo kufi dhe të përfshihen në këtë vorbull sa më shumë persona, mundësisht sa më shumë nga ata që lehtësisht manipulohen dhe kthehen viktima në një luftë me mullinjt e erës nën gjaknxehtësinë e ndjesive atdhetare!”, shprehet Pojana.
Sjellim në vëmendje që dje u përfol se memoriali i Skënderbeut u mbulua gjatë faljes së Namazit për Kurban Bajram, po kjo u mohua edhe nga vetë institucionet islame në vend. (J.V/Shuplaka)