Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar zgjedhjet lokale në Tuz të Malit të Zi, ku për herë të parë pas shumë dekadash partitë politike shqiptare dalin të bashkuar në koalicionin “Malësia na Bashkon”.
Me qëllim marrjen e sa më shumë votave dhe arritjen e një rezultati fitues, tre partitë shqiptare Alternativa Shqiptare me kryetar Nik Gjeloshaj, Lidhja Demokratike Shqiptare me kryetar Nikollë Camaj dhe Unioni Demokratik Shqiptar kryetar Fadil Kajoshaj janë bashkuar në koalicionin parazgjedhor. Ata besojnë se çelësi i bashkimit, do t’i nxjerrë fitimtarë në sfidën për të marrë 17 këshilltarë nga 32 të tillë.
Procesi i votimit është mbyllur rreth orës 20:00 dhe bëhet me dije se ka nisur numërimi i votave ku pritet që rezultati i zgjedhjeve të dalë brenda natës së sotme.
Komuna e Tuzit në total ka 11.800 votues të cilët dhe sipas informacioneve të para pjesëmarrja në votime ka qenë 62%.
Ndërkohë që favorite për të fituar është koalicioni “Malësia na Bashkon” pasi shumica e votuesve në komunën e Tuzit janë shqiptarë dhe bashkimi I partive shqiptare në një sigel të vetme rrit shansin shqiptarëve të shkojnë drejt një ngarjeje historike.
Pavarësisht se procesi zgjedhor ka shkuar mirë, pasi nuk është shoqëruar me incidente apo pengesa që pengonin votimin, shqiptarët pasdite kanë denoncuar blerjen e votave duke akuzuar partinë e kryeministrit Milo Gjukanoviç si autore të këtij fenomeni.
Shqiptarët në Tuz nuk e kanë pritur përfundimin e numërimit të votave por kanë dalë në rrugë duke festuar me flamurin kuqezi, sepse ata besojnë se fitorja ju përket partive shqiptare gjë e cila sipas tyre është historike.
(F.GJ/FAXWEB.AL)