Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në një intervistë për gazetaren Fatime Baçi në Fax News, ka reaguar ashpër ndaj aksionit të IKMT në Theth, duke e konsideruar atë si një “hakmarrje politike” ndaj banorëve të zonës që, sipas saj, refuzuan të votonin qeverinë në zgjedhjet e 11 majit.
“Qeveria e shembi Thethin sepse nuk mori vota. Ishte një goditje që nuk kishte as lidhje me ligjin dhe as me parimet e paralajmërimit, por një rrufe në qiell të hapur, në kulmin e sezonit turistik”, u shpreh Zhupa.
Sipas saj, shumë prej bujtinave në Theth ishin të prenotuara nga turistë dhe vendimi për prishjen u mor pa paralajmërim të duhur, duke dëmtuar rëndë ekonomikisht dhe moralisht banorët.
“Edi Rama bëri atë që di të bëjë më mirë: show dhe arrogancë. Me 83 mandate, nuk i bën më përshtypje as ligji dhe as qytetarët”, theksoi Zhupa, duke kujtuar vizitën e kryeministrit në Theth para zgjedhjeve.
Sipas Zhupës, prishjet e bizneseve dhe godinave turistike në Theth janë të lidhura ngushtë me projektin e ashtuquajtur “Pakoja e Maleve”, që, siç tha ajo, po përdoret si fasadë për të favorizuar interesa të caktuara dhe jo zhvillimin e zonës në interes të komunitetit.
“Qeveria po e përdor Thethin si eksperiment për paketën e maleve, për ta kthyer në një skemë të pastrimit të territorit nga njerëzit që nuk e mbështesin politikisht,” deklaroi deputetja e PD-së.
Ajo bëri thirrje për transparencë dhe përfshirje të komunitetit në vendimmarrje, duke paralajmëruar se PD do të denoncojë çdo abuzim me pronat dhe të drejtat e qytetarëve.