Prej më shumë se dy muajsh banorët e Laprakës në Tiranë kanë dalë në protesta, kundër fabrikës së tullave Edil Co, e cila emeton gaze dhe ndotje të jashtëzakonshme në ajër.
Por pavarësisht protestave të banorëve, dhe të gjitha iniciativave ligjore që ata kanë ndërmarrë, kompania vijon aktivitetin e saj, edhe pse prej më shumë se dy vitesh nuk ka as leje mjedisore për aktivitetin që ushtron.
Të ftuar në studion e Fax Neës kanë qenë paraditen e sotme profesori Sazan Guri, dhe një prej banorëve Vilson Kulemani, i cili u shpreh se numri i banorëve që preken nga ndotja është të paktën 15 mijë.
“Një fabrikë që operon pa leje mjedisore dhe shkarkon gazra në ambient, është e vendosur në një zonë të banuar. Ne pretendojmë të hapim një gjyq administrativ për këtë fabrikë, Edil Centro operon pa leje, pasi leja e saj është të operojë vetëm në zona industriale dhe jo në zona të banuara”, u shpreh Kulemani.
Ndërkohë që ambientalisti Guri tha se përveç ndotjes që shkakton tek banorët, kjo fabrikë është problematike dhe për pacientët e spitalit ushtarak, që gjenden pranë saj.
“Këta banorë më kanë thërritur që në ditët e para të protestës së tyre, pasi sëmundjet e frymëmarrjes në radhët e tyre janë shtuar ndjeshëm. Një fabrikë e cila punon pa leje mjedisi, ka operuar pa u regjistruar në asnjë instancë shtetërore.
Këtu kërkohet leje mjedisore për furrat e bukës, dhe lejohet që të operojë jo fabrikë, që lëshon shtëllunga tymi të zi. Kamiona transportojnë lëndë të rrezikshme në rrugët e lagjes, ndërkohë që aty kalojnë fëmijë dhe të moshuar. Kushdo që thotë se banorët kanë shkuar te fabrika, e kanë gabim, pasi 200 metra larg fabrikës gjendet spitali ushtarak, që ka qenë atyre prej shumë vitesh”, u shpreh Guri.
Ndërkohë që lidhur me zërat se banorët janë vendosur në zonë, pas ndërtimit të fabrikës, Kulemani tha se ata disponojnë dokumente që vërtetojnë të kundërtën.
“Ne si banorë kemi marrë vërtetime të banorëve që kanë qenë aty që prej 1973, ndërsa sot ka 15 mijë banorë që jetojnë aty, ka kopshte fëmijësh që janë jo më larg se 50 kilometra në vijë ajrore nga oxhaku i fabrikës. Ka një oxhak shumë të ulët, pasi janë barabartë me katin e dytë të banesave”, u shpreh i riu.
Sazan Guri e çoi dhe më tej problematikën, teksa tha se qytetarët janë sensibilizuar dukshëm për çështjet mjedisore, ndërsa Tirana është një nga qytetet më të ndotur në Europë. Nuk mungoi asnjë këshillë e mbrojtjes së kësaj çështje me mjete të paligjshme sa kohë që shteti nuk reagon.
“Ndotja në mjedis është një ndotje direkte në shëndetin e njeriut, 80% e çështjeve civile janë çështje që lidhen me mjedisin, po rritet një brez që është më i ndjeshëm ndaj këtyre çështjeve.
Mjafton që të hipësh në Dajt dhe e sheh smogun që ka mbuluar të gjithë qytetin, që është bashkim i tymrave të makinave, i fabrikave, shihet një shtëllung që nuk ka fuqi që të përhapet në qiell, dhe qendron mbi kokat e shqiptarëve.
Ka një ulje të moshës së kancerit, nga 75 që është normalja preken moshat e reja 30-35 vjeç. Merrini Hunjtë se në një shtet të paligjshëm, e drejta mbrohet vetëm në mënyrë të paligjshme”, u shpreh Guri.
Ndërkohë që Kulemani vijoi më tej duke thënë se ministri i mjedisit Blendi Klosi nuk u ka dhënë asnjë përgjigje për problemin e tyre, dhe që i kanë adresuar për trajtimin e problemit te zyra e bashkëqeverisjes.
“Ministri Klosi nuk na është përgjigjur në asnjë formë, na kanë propozuar që të bëjmë një interpelancë përmes denoncimit te zyra e bashkëqeverisjes, po ne nuk na duket normale që në vitin 2019 të ketë akoma ministra që të përfitojnë nga hallet e qytetarëve. Janë tre avokatë që e kanë marrë përsipër këtë çështje falas, një prej të cilëve është dhe avokati Altin Goxhaj, kanë qenë qytetarët ata që kanë dhënbë kountributin e tyre edhe financiar për këtë çështje”, përfundoi Kulemani, ndërsa çështja pritet që të vijojë tashmë në rrugët e gjyqësorit.
(E.K/Faxweb.al)