Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga Shoqata George C. Marshall Shqipëri në bashkëpunim me Qendrën George C. Marshall për Studime të Sigurisë në Garmish, Albanian Policy Center & Ambasadën Amerikane në Tiranë me temë “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”.
Meta gjatë fjalës së tij ka folur hapur lidhur me temën e ndryshimit të kufunjve në Ballkan duke arguimentuar se janë përpjekje të politikanëve autoritarë për t’u shmangur nga llogaridhëniet e brendshme, për të provuar sipas tij, tema që spostojnë vëmendjen e opinionit
“Kam dëgjuar shpesh që thonë, ore pse të mos bashkohen të gjithë shqiptarët? Po pse të mos bashkohen të gjithë serbët, kroatët, boshnjakët dhe këto delirime gjoja patriotike më shumë se folkorizëm janë një diabolizëm i gjallë.
Janë përpjekje të politikanëve autoritarë për t’u shmangur nga llogaridhëniet e brendshme, për të provuar tema që spostojnë vëmendjen e opinionit. Është si në volejboll, Moza Ibrahimi me Ela Tasen, një pason, tjetri zhyt. Dhe ikin të rinjtë nga Shqipëria, Kosova, Serbia, ikin kudo dhe na ftojnë për të parë një film që e kemi parë sa shumë herë këtu në Ballkan.
Bëhet fjalë për një rajon, Ballkani Perëndimor, 20 e ca milionë banorë, në një situatë kur pesha e Evropës nga pikëpamja ekonomike ka rënë në botë, pesha e kontinenteve të tjera është rritur, globalizmi vë në rrezik të gjithë vendet e vogla dhe ne thellojmë ndarjet për arsye personale” – tha ndër të tjera Meta.
Presidenti foli edhe për ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe rëndësinë e saj duke deklaruar se nuk do të tregonte përshtypjet e tij nëse ishte e suksesshme apo jo, por nga ana tjetër argumentoi se nëse do ishte sukses, Shqipëria nuk do të ishte asnjë minutë pa Gjykatë Kushtetuese, duke lënë të kuptohet se ajo ka dështuar.
“Kam 3 vite e kam shmangur të flas për reformën në drejtësi. Nuk do them nëse është sukses apo dështim, por nëse do ishte sukses, Shqipëria nuk do të ishte asnjë minutë pa Gjykatë Kushtetuese. Kur isha kryetar Kuvendi, thashë po, Vetting për të gjithë, por kujdes se nuk duhet të cënohet funksionimi i insititucioneve. Gjykata Kushtetuese, me përjashtim të disa individëve ka histori pozitive. Reforma bëhet me standarte, jo me retorikë apo me emra. Janë forma të reja të kapjes së institucioneve”, deklaroi Meta.
Lidhur me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, si dhe rolin që do të kishte përfshirja e EURALIUS në ecurinë e Reformës në Drejtësi, Meta tha:
“Në dhjetor të 2016, mora një iniciativë për ndarjen e shortit të KED. Është institucioni kryesor, kam bërë përpjekjet më të mëdha, që kjo të ishte gjëja më e mirë. Herën e dytë, si president, asnjë s’mbante përgjegjësi, përfshirë edhe partnerët ndërkombëtarë. Kam kërkuar angazhimin e EURALIUS, për të parë ecurinë e Reformës në Drejtësi. Kam folur hapur, dua të hedh shortin, por ne e dimë shumë mirë çfarë ndodhi një vit më parë. Të shohim çfarë po ndodh, të unifikojmë një qendrim të përbashkët, pasi jemi në një situatë ekstra ligjore.
Po të jetë për debate, unë ia kaloj parlamentit, se është përgjegjësi e tyre, dhe ditën e fundit, EURALIUS na kthen përgjigje që ne nuk vimë dot në takim pasi jemi me mision teknik. Pra, mision teknik, me porosi politike. Akoma nuk dihet kush e dha atë porosi. Unë jam presidenti, më duhet të di nga jepet porosia. Si e jep EURALIUS, një vërtetim për një kryetar Komisioni në kundërshtim me reformën në drejtësi. Reforma do të jetë e suksesshme kur të ketë më shumë investime”, deklaroi Presidenti.
(F.GJ/FAXWEB.AL)