Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka takuar gratë dhe vajzat e njësisë nr. 7 në kryeqytet. Në takimin me to, ai ka theksuar sërish kontributin e gruas në shoqëri, duke u shprehur se kur i jepet shansi një gruaje, i jepet të gjithë familjes.
Ai ka vënë theksin në nevojën e transformimit të politikës, çka sipas tij, ka të bëjë me kulturën.
“Politika ka nevojë për një transformim kryesor, ka të bëjë me kulturën. Kultura që ne duam është një klasë politike që punon me përgjegjësi. Lëvizja Socialiste për Integrim është e bindur se kur i jepet shansi një gruaje, i jepet shansi të gjithë familjes.”, mësohet të ketë thënë ai ndër të tjera.
Fjala e plotë e Metës:
LSI-ja punon që t’u jap një shans të gjithëve, por në veçanti LSI-ja është e bindur se kur i jepet shansi një gruaje i jepet shans të gjithë familjes. Sepse paqja sociale fillon te familja dhe pastaj vazhdon në shoqëri dhe kudo. Në programin tonë, mbështetja dhe fuqizimi i gruas përfaqëson një prioritet të veçantë dhe të jashtëzakonshëm.
Besojmë që politika shqiptare ka nevojë për një transformim thelbësor, që nuk ka të bëjë thjesht me individët dhe me njerëzit, por me kulturën e tyre. Kultura që ne duam është e një klase politike e një gjenerate politike e cila punon me përgjegjësi, punon në ekip. Synon të mirën publike dhe vë disa prioritete mbi egon individuale apo edhe partiake në interes të vendit, të komunitetit dhe të shoqërisë.
(XH.A/SHUPLAKA)