Gjatë vizitës së tij në Austri, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Kryetarja e Komisionit të Jashtëm znj. Arta Dade, u pritën nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Social Demokrate Austriake (SPÖ) z. Andreas Schieder.
Meta vlerësoi bashkëpunimin në vite me SPÖ dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Grupi Parlamentar i Partisë Social Demokrate Austriake (SPÖ) i jep politikave evropiane të zgjerimit dhe në veçanti avancimit të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit.
Po kështu Schieder i uroi mirëseardhjen Metës dhe Dades në Parlamentin e Austrisë dhe rikonfirmoi mbështetjen e SPÖ për axhendën e reformave të ndërmarra në Shqipëri të cilat i shërbejnë cilësisë së integrimit të Shqipërisë.
Në këtë kuadër u vu theksi mbi rëndësinë e implementimit cilësor e transparent të reformës kyçe në sistemin e drejtësisë dhe u nda bindja e përbashkët se lufta ndaj korrupsionit dhe forcimi i shtetit ligjor do të rrisin standardet e mirëqeverisjes dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve në Shqipëri.
Kryetari i Kuvendit Meta theksoi se Shqipëria mbështetet tek përkrahja e fuqishme e Austrisë në BE dhe vuri në dukje se intensifikimi i bashkëpunimit ndërparlamentar mes dy vendeve, ku Grupi Parlamentar i SPÖ ka një rol të veçantë, do t’i shërbejë cilësisë së marrëdhënieve të gjithanshme mes Shqipërisë e Austrisë, si dhe bashkëpunimit rajonal ku Austria ka një rëndësi strategjike. (J.V/Shuplaka)