Kreu i Shërbimit të Neurologjisë dhe profesori i njohur Mentor Petrela prezanton metodën e re të ndërhyrjes për të parandaluar paralizën. Në një konferencë shkencore, mjeku shqiptar tha se nëse pacientët e prekur nga sëmundja e Strokës do të arrijnë në repartin e neurologjisë në Tiranë brenda 5 orësh, ata mund të shmangin paralizën nga e cila riskohen. Kështu sëmundja e Strokës mund të kurohet, nëse arrin të kapet në kohë.
Gjatë fjalës së tij në konferencë, Petrela sqaron se si mund të shmanget paraliza, përmes kësaj metode të re.
“Në stadin sa më të parë duhet arritur që njerëzit të jenë të sensibilizuar me të gjithë urgjencat, para se të arrijë në spital. Ne jemi në garë me kohën. Duhet të arrijmë që për 4-5 orë të trajtojmë të sëmurin, kjo parandalon që mund të humbësh jetën dhe që mund të kesh një cilësi jete shumë të dobët pasi të ndodhë aksidenti vaskular.”, tha mjeku.
Kreu i Shërbimit të Neurologjisë tregon se kjo metodë kryhet vetëm në kryeqytet por së shpejti do të mundësohet edhe në 2 qytete të tjera, Vlorë dhe Shkodër.
Mjeku Hysen Baboci është ai që ka bërë hapat e parë për të luftuar këtë sëmundje, por sipas Petrelës, me vdekjen e tij ecuria e këtyre zhvillimeve u frenua për disa vite. (D.D/Shuplaka)