Mosmiratimi nga ana e qeverisë për projektligjin për “Statusin e minatorit”, pritet të sjellë nesër në kryeqytet mijëra minatorë të cilët kërkojnë rregullimin e kushteve të tyre të punës.
Sindikata e minatorëve ka shpërndarë një deklaratë për mediat ku thuhet se në tubimin që do zhvillohet nesër para Kryeministrisë do ketë bllokim institucionesh, përplasje me policinë dhe çdo formë tjetër proteste për të arritur qëllimet e tyre.
Protesta e të mërkurës vjen pas disa protestave rresht ku minatorët dhe sindikatat kanë kërkuar statusin e premtuar nga socialistët që në vitin 2013, pagesa të rregullta dhe kushte më të mira pune.
Sektori minerar në vendin tonë numëron mbi 7 mijë punonjës. Pritet të shohim si do të zhvillohet protesta e nesërme dhe se sa do arrijnë minatorët të përmbushin kërkesat e tyre.
(F.G/Faxweb.al)