Gjykata Penale e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi masat për 7 mjekët dhe infermierët e Onkologjikut. Ata akuzohen për ‘shpërdorim detyre’, ndërkohë bëhet fjalë për;
Edmond Gashi, mjek në Spitalin Onkologjik në QSUNT, arrest shtëpie
Emiljano Lela, koordinator në detyrim paraqitje
Alketa Ymeri, mjeke, detyrim paraqitje
Brikena Qirjazi, zv/Drejtoreshe në QSUNT-e ngarkuar me detyra për shërbimin Onkologjik, detyrim paraqitje
Halil Gashi, arrest shtëpie
Florian Marku, arrest shtëpie
Sakaq, masa për Drilona Kishtën nuk u ekzekutua dot, pasi është jashtë shtetit. Prokuroria e Tiranës po heton skemën, përmes të cilës mjekë të spitalit të Onkologjikut shisnin ilaçe të spitalit tek subjektet private.
Gjykata ka miratuar kërkesën e organit të akuzës duke çuar para përgjegjësisë ligjore 8 persona, mjekë të spitalit Onkologjik në QSUT, kirurgë, ish zv/drejtoresha e përgjithshme e spitalit, Brikena Qirjazi dhe farmacistë. Hetimi i Prokurorisë arriti të zbulojë skemën se si mjekë të spitalit të Onkologjikut shisnin ilaçe të spitalit tek subjektet private.
Gjithashtu, ata dërgonin pacientët për kurim te spitalet private, ndërsa më herët kishin refuzuar t’iu jepnin shërbim në shtet duke nxjerrë alibi të tilla si pritjet dhe radhët e gjata, kur në realitet nuk rezultonin të tilla. Në lidhje me ngjarjen në fjalë pati reagime të forta në opinionin publik, por dhe atë politik. Në rrjetet sociale vërshuan reagimet në lidhje me përgjimet që ‘fundosën’ punonjësit e këtij spitali, që bënin pazare hapur, madje dhe planet për pushime luksoze në Tajlandë apo Maldive.