Shefja e Politikës së Jashtme në Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, si ndërmjetësuese e dialogut, e ka vlerësuar pozitivisht takimin e dytë me krerët e Kosovës dhe Serbisë, duke u shprehur se ndihet e inkurajuar me angazhimin konstruktiv të të dyja palëve.
Në deklaratën e saj për shtyp, Mogherini vlerësoi përkushtimin politik që sipas saj është një faktor pozitiv që shërben në uljen e tensioneve mes vendeve.
Ajo shprehet ndër të tjera se pjesëmarrësit në këtë takim rikonfirmuan angazhimin e plotë të tyre për të punuar së bashku në kuadër të dialogut.
“Në takimin e sotëm vazhduam diskutimet që kishim në takimin e 24 janarit. Jam e inkurajuar nga angazhimi konstruktiv i të dy palëve.
Ky përkushtim dhe politik do të kontribuojnë shumë në uljen e tensioneve dhe do të vazhdojmë të punojmë. Dialogu është një proces shumë i rëndësishëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për rajonin dhe Bashkimin Evropian.
Progresi për normalizimin e marrëdhënieve është çelësi për të dyja palët për të ruajtur paqen dhe për të shkuar drejt Bashkimit Evropian. Është esencial për Evropën dhe stabilitetin e rajonit.
Të gjithë pjesëmarrësit sot rikonfirmuan angazhimin e tyre të plotë për të punuar së bashku në kuadër të Dialogut. Do të doja të falënderoja të gjithë pjesëmarrësit, presidentët Thaçi dhe Nikoliq, dhe kryeministrat Vuçiq e Mustafa për diskutim të sinqertë dhe konstruktiv që patëm.”, është shprehur Federica Mogherini. (XH.A/SHUPLAKA)