Naim Murseli, i dyshuari kryesor për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt, është dërguar sot për ekzaminim psikiatrik në Klinikën e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas raportimeve nga mediat vendore, Murseli është paraqitur i prangosur, me duar dhe këmbë të lidhura. Pas kryerjes së ekzaminimit psikiatrik dhe trajtimit me CT, ai është larguar nga klinika.
Në seancën e 4 qershorit, prokurorja Javorka Perlinçeviç deklaroi në Gjykatën Themelore të Prishtinës se Murseli urdhëroi vrasjen pasi bashkëshortes së tij i përfitoheshin 260 mijë euro nga sigurimi jetësor në Suedi. Prokuroria prezantoi si provë materiale raportin zyrtar të organit suedez, i cili konfirmon pagesën e një sigurimi jetësor në shumën prej 3 milionë kruna suedeze (rreth 260 mijë euro) në vitin 2022 në emër të të ndjerës.
Avokatja e të akuzuarit, Teuta Zhinopotoku, kërkoi në atë seancë dërgimin e Murselit për ekzaminim psikiatrik, kërkesë që u pranua nga gjykata.
Më 15 janar 2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt. Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla kishin rënë dakord që vrasja të kryhej nga Plava, i cili do të paguhej me 30 mijë euro nga Murseli.
Prokuroria thekson se motivi i krimit ishte çrregullimi i raporteve familjare dhe martesore, si dhe dëshira e Murselit për hakmarrje ndaj bashkëshortes.