Është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare si pasojë e Covid 19 presidenti i “Fax News” Kasem Hysenbelliu.
Presidenti i Fax News u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në Turqi, ku ishte duke u kuruar prej disa javësh, e ku nuk mundi që të fitonte dot betejën me Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekve dhe lutjeve të familjarëve, miqve dhe të gjithëve atyre që e kanë njohur.
Kjo është një ditë e dhimbshme për Fax News dhe Faxweb, teksa i gjithë stafi i televizionit dhe webit që ai themeloi i shprehin ngushëllimet familjes së presidentit Hysenbelliu.
Hysenbelliu themeloi dhe administroi TV Fax News që nga Tetori 2017, ndërsa sot është dhe 4 vjetori i krijimit të Faxweb.al, që daton në treg që nga data 5 Dhjetor të 2016-tës.
Zoti Hysenbelliu themeloi të parin TV të pavarur në vend, teksa Fax News u shndërrua në zërin e njerëzve të thjeshtë, duke mbrojtur disa nga kauzat qytetare, me transmetimin maratonë të protestës së Astirit, dhe kauzës së Teatrit Kombëtar.
Presidenti i Fax News që prej fillimit të pandemisë ka qenë një nga njerëzit më të kujdesshëm sa i takon masave parandaluese të përhapjes së Covid 19, por duket se ky virus na tregoi edhe njëherë tjetër se nuk kursen askënd.
Me humorin, batutat, me dorën e shtrirë ndaj çdo punonjësi, presidenti i Fax News kishte arritur të ndërtonte një marrëdhënie të jashtëzakonshme me të gjithë bashkëpunëtorët e tij, ku vendin e parë e zinte liria dhe pavarësia e kujtdo për të thënë mendimin dhe qendrimin e tij.
Të gjendur të pafjalë nga kjo humbje e jashtëzakonshme, Fax News dhe Faxweb.al do të vazhdojnë misionin e lënë përgjysmë nga presidenti, për t’iu gjendur çdo qytetari, çdo kauze, e për të qenë një pasuri në dorën e çdo shikuesi dhe lexuesi të medias sonë.
(E.K/Faxweb.al)