Ndeshja e Italisë me Shqipërinë që do të luhet në mars do të jetë dhe një nga më të shumëpriturat. Kjo pasi përherë në Shqipëri ka patur tifozë të skuadrës Italiane dhe e njohim shumë nga afër futbollin fqinj.
Të gjithë tifozët shqiptarë që duan të pajisen me bileta për ndeshjen e 24 marsit Italinë do të duhet të kalojnë një procedure më të komplikuar për të bërë të tyren një nga pak më shumë se 1500 biletat që do të hidhen në treg për mbështetësit kuqezi.
Shefi i marketingut në FSHF, Gazmend Malo, ka konfirmuar se pala italiane, ndryshe nga shumica e vende të tjera, kryen disa procedura më të veçanta për pajisjen me bileta të mbështetësve shqiptarë, sipas dispozitave ligjore përkatëse.
“Kanalet zyrtare të pajisjes me bileta do të jenë nëpërmjet dyqanit të FSHF dhe shitjes online. Shumë shpejt do të bëhet gjithçka publike, sapo të saktësojmë detajet e tjera, kur këto bileta do të jenë të disponueshme dhe procedurën”, tha Malo për “News 24”.
“Në Itali jemi ndeshur me klauzola ligjore më shumë se sa në vende të tjera. Duhen dhënë paraprakisht të dhënat e të gjithë mbajtësve të biletave për ndeshjen, ku përveç emrit kërkohen edhe dokumente identifikimi, etj.”, deklaroi zyrtari i FSHF-së rreth kësaj çështje. (E.K/SHUPLAKA)