Në qendrat shëndetësore të Tiranës, prej një jave mungojnë kartat e shëndetit. Një prej qytetarëve që prej ditësh sorollaten për të rinovuar kartën e shëndetit është edhe zonja në këtë video, Mimoza Shkodra.
“Kam një javë që vij, nuk ka thonë. Edhe sot erdha nuk ka. Shkoj te mjeku i familjes nuk më jep ilaçe”, tregon zonja.
Pavarësisht se zyrat janë të hapura, në asnjë prej tyre nuk lëshohen kartat e shëndetit. Sipas punonjësve, arsyeja është sepse ka mungesë të tyre. Megjithatë ata nuk bëjnë të ditur se prej sa kohësh kartat e shëndetit mungojnë në qendrat shëndetësore. Por sipas televizionit “Klan” bëhet fjalë për një periudhë një javore.
Nëpërmjet kartës, qytetarët kanë mundësi të përfitojnë falas shërbimet shëndetësore, duke filluar nga vizitat e thjeshta apo edhe analizat. (D.D/Shuplaka)