FlashKryesorePolitikëTe FunditTe Gjitha

Nesër shorti për KED, reagon PD: Gramoz Ruçi po shkel Kushtetutën (LETRA E PLOTË)

Vetëm pak minuta më parë Partia Demokratike ka reaguar lidhur me shortin për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi që do të hidhet ditën e nesërme duke e cilësuar si antikushtetues.

Mësohset e opozita kërkon ndërprerjen e menjëhershme të procedurës për zgjedhjen e kandidatëve nga institucionet kryesore të drejtësisë, Gjykata e lartë, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Administrative si dhe Prokuroria.

Sipas PD-së kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruci po shkel kushtetutën me shortin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Shorti për të zgjedhur anëtarët e KED pritet të hidhet ditën e nesërme.

LETRA E PLOTË:

Z. Ruçi,

Me shkresën tuaj nr. 2927/14 Prot., datë 23.11.2017, na keni njoftuar për datën dhe orën e hedhjes së shortit për zgjedhjen e 9 anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).Mbi këtë cështje, paraqesim qëndrimin tonë si më poshtë:

I. Mbi realizimin e shortit nga Kryetari i Kuvendit

Procedura e shortit sipas Kushtetutës dhe ligjit, zhvillohet nga Presidenti i Republikës deri më datë 5 Dhjetor. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët brenda kësaj date, atëherë ky proces realizohet nga Kryetari i Kuvendit deri më datë 10 Dhjetor (neni 149/d, pika 3).

Në shkresën e dërguar përpara kohe nga ana juaj, nuk rezulton të jetë specifikuar që Presidenti i Republikës ka refuzuar të realizojë procedurën e shortit, dhe aq më tepër, nëse kjo ka ndodhur,arsyet që ka parashtruar Kreu i Shtetit për mos zhvillimin e procedurës së hedhjes së shortit dhe mos ushtrimin e kompetencës/detyrimit kushtetues.

Duke u nisur nga formulimi kushtetues “nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendi i zgjedh ata me short….”, rezulton e qartë që duhet domosdoshmërisht të jetë plotësuar kushti kushtetues, që Kryetari i Kuvendit të fillojë ushtrimin e kompetencës.

Në rastin konkret, edhe pse data 5 Dhjetor nuk kishte kaluar ende, dhe kushti kushtetues nuk ishte plotësuar, Kryetari i Kuvendit ka filluar të ushtrojë kompetencën kushtetuese, duke miratuar akte, për të cilat në kohën e miratimin nuk ka qenë kompetent. Për pasojë, konkluzioni i parë dhe i rëndësishëm, është se të gjitha aktet e nxjerra nga Kryetari i Kuvendit, deri në këtë moment, janë absolutisht të pavlefshme, për shkak se janë nxjerr nga një organ jokompetent në kohën e miratimit të tyre.

Njoftimi nga Presidenti i Republikës mbi pamundësinë e tij për ushtrimin e kompetencës, për shkak të paqartësisë kushtetuese dhe ligjore, nuk përbën kriter kushtetues që Kryetari i Kuvendit të fillojë ushtrimin e një kompetence kushtetuese, të cilën Kushtetuta e ka të lidhur me sjelljen e Presidentit të Republikës nga njëra anë (me mosveprimin e tij që passjell pamundësi të zgjedhjes së anëtarëve të KED-së), por edhe me kalimin e një afati të caktuar (data 5 Dhjetor) nga ana tjetër. Vetëm pas plotësimit të këtyre dy kushteve, Kryetari i Kuvendit, në kuptim të nenit 149/d të Kushtetutës, apo pikës 11 të nenit 179 të saj, mund të fillojë të ushtrojë kompetencën e tij, si dhe mund të nxjerr akte apo kryejë veprime, që lidhen me procesin e realizimit të shortit për zgjedhjen e anëtarëve të KED-së.

ImageKjo sjellje antikushtetuese është thelluar nga ana juaj si Kryetar i Kuvendit, për shkak sekeni orientuar në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, mënyrën sesi institucionet e pavarura duhet të zbatojnë ligjin, apo duhet të ushtrojnë kompetencën e tyre ligjore.

Konkretisht, keni kërkuar në kundërshtim me ligjin, që organet e pavarura në ushtrimin e kompetencës së tyre ligjore, duhet të zbatojnë vetëm kriteret që parashikon neni 149/d, pika 3, e Kushtetutës, duke shmangur kriteret ligjore që parashikon neni 221 i ligjit nr. 115/2016 dhe që qartësisht referohen nga neni 284 i po të njëjtit ligj[1]. Neni 149/d dhe 179, pika 11, e Kushtetutës, si dhe neni 284 i ligjit nr. 115/2016, nuk jua njeh këtë kompetencë, për shkak se hartimi i listave (zbatimi i kritereve), është kompetencë që Kushtetuta dhe ligji, ia njeh institucioneve që i hartojnë ato.

Në këtë mënyrë, nëkundërshtim flagrant me kompetencën tuaj kushtetuese dhe ligjore, ju i keni diktuar institucioneve të pavarura qëndrimin e paligjshëm të mazhorancës (të mbajtur më herët zyrtarisht nga ish-Kryetari i Komisionit të Ligjeve z. Xhafaj), duke i detyruar defactoorganet e pavarura të zbatojnënë mënyrë të deformuar ligjin,edhe pse tashmë, secili prej këtyre institucioneve kishte mbajtur qëndrimin e vet institucional mbi këtë cështje, gjatë zbatimit të parë të këtyre normave kushtetutuese dhe ligjore në shortin e organizuar në Janar 2017.

Ndërhyrja juaj flagrante në kompetencat e organeve të pavarura, përbën jo vetëm cënim të parimit të ndarjes e balancimit midis pushteteve dhe parimeve të shtetit të së drejtës, por njëkohësisht minon të gjithë procesin e realizimit të shortit, me impakt direkt tek kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e përbërjes së KED-së që do të dalë nga shorti, bazuar në lista kandidatësh të hartuar jo sipas ligjit, por sipas vullnetit të njëanshëm të mazhorancës dhe që nuk përputhet me vetë përmbajtjen e ligjit të miratuar prej saj.

Gjithashtu, kjo ndërhyrje e paprecedentë në kompetencën ligjore të organeve të pavarura, ka krijuar një situatë absurde, ku institucione të ndryshme, kanë hartuar listat e tyre, bazuar në të njëjtën dispozitë ligjore, por duke përdorur kritere të ndryshme!E gjitha kjo e bën nul procesin që ju keni nisur nga aspekti formal dhe përmbajtësor, për shkak se ai është ndërtuar mbi shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjit, si dhe po zhvillohen në kushtet e një ndërhyrje të paligjshme nga ana juaj në kompetencat ligjore të institucioneve të pavarura.

Në këtë pikë, ju kujtojmë, se referuar jurisprudencës së Gjykatës Kushtetutese, interpretimi i ligjeve, fillimisht është detyrë e organeve që ngarkohen nga ligji me zbatimin e tij, dhe më pas e sistemit gjyqësor. Kryetari i Kuvendit, nuk ka autoritet kushtetues dhe ligjor, të bëjë interpretimin e normave kushtetuese dhe ligjore, për të detyruar organet e pavarura mbi mënyrën sesi duhet të zbatojnë ligjin. Për më tepër, tashmë Kuvendi dhe vetë organet e pavarura, kanë krijuar precedentin mbi mënyrën e veprimit dhe zbatimit të ligjit në këtë proces.

Ndryshimi i rregullave të lojës në mes të procesit dhe pa asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës. Ndryshimi i këtyre rregullave, për shkak të përshtatjes me vullnetin e njëanshëm të mazhoracës, përbën haptazi tentativë për të ndikuar në përbërjen e KED-së, me qëllimin final garantimin e kontrollit politik nga mazhoranca mbi këtë organ të pavarur kushtetues dhe nëpërmjet tij në Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë. Kësaj praktike i shërben edhe mungesa e plotë e transparencës, duke zhbërë traditën e krijuar më parë, për shkak se nuk keni bërë publikedhe nuk keni njoftuar asnjë korrespondencë me Presidentin e Republikës dhe institucionet e pavarura të parashikuara nga neni 284 i ligjit nr. 115/2016, si dhe nuk keni publikuar apo njoftuar listën e kandidatëve që do të përfshihen në short[2].

II. Mbi procesin e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të KED-së

Në shkresën e dërguar nga ana juaj, specifikohet se realizimi i shortit do të kryhet në mbështetje të nenit 149/d, pika 3 dhe nenit 179, pika 11, e Kushtetutës, si dhe nenit 284 të ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë (ligji nr. 115/2016).

Neni 149/d, pika 3 e Kushtetutës, sanksionon kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët që përfshihen në short dhe përbërjen e KED. Nga ana tjetër, neni 179, pika 11, parashikon një rregull tranzitor, mbi atë që e quan KED që qëndron në detyrë deri më 31 Dhejtor të vitit kur hyn në fuqi ndryshimet kushtetuese (KED e përkohshme). Konkretisht, pika 11 e nenit 179 të Kushtetutës, parashikon se: “11. Presidenti i Republikës, brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zgjedh me short anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, sipas nenit 149/d, pika 3, të Kushtetutës. Nëse Presidenti i Republikës nuk i përzgjedh anëtarët brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda dhjetë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Të zgjedhurit qëndrojnë në detyrë deri në datën 31 dhjetor të vitit kur hyn në fuqi ky ligj. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e shortit, si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i nënshtrohen menjëherë procesit të rivlerësimit kalimtar të kualifikimit për gjyqtarë dhe prokurorë sipas nenit 179/b të këtij ligji”.

Në zbatim të këtij rregulli tranzitor, ligji nr. 115/2016, ka parashikuar detajet e aplikimit të këtij rregulli tranzitor, nëpërmjet nenit 284 të tij, ku parashikohet “Krijimi i Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Sistemin e Drejtësisë”.

Pra, neni 284 i ligjit nr. 115/2016 është i lidhur me pikën 11 të nenit 179 të Kushtetutës. Kjo provohet edhe nga afati që vendos ligji për dërgimin e listës, duke përcaktuar momentin kohor “menjëherë”, cka nënkupton përkohshëmërinë e zbatimit të dispozitës, vetëm menjëherë me hyrjen në fuqi të ligjit. Ky fakt është pranuar qartësisht edhe nga mazhoranca, nëpërmjet qëndrimit zyrtar të mbajtur nga ish-Kryetari i Komisionit të Ligjeve, në shkresën drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbi shortin e realizuar në Janar 2017, ku theksohet se: “Edhe dispozita kalimtare e ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” (neni 284, pika 7), të referon tek neni 179, pika 11. Sipas kësaj dispozite “Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi zgjidhen në përputhje me nenin 179, pika 11.””.

Në Janar 2017, në zbatim të dispozitave tranzitore të mësipërme, u zgjodh KED-ja e përkohshme, nëpërmjet një shorti të realizuar nga Kryetari i Kuvendit. Në këtë kuptim, KED e përkohshme që parashikon pika 11 e nenit 179 dhe neni 284 i ligjit, u zgjodh njëherë dhe me këtë proces, dispozita tranzitore e humbet fuqinë e saj. Në këtë rast, dispozita tranzitore, nuk mund të kthehet në rregull të përhershëm, aq më tepër që vetë Kushtetuta, ka parashikuar afat brenda së cilës vepron KED e përkohshme. Për pasojë, arrihet qartësisht në konkluzionin se procesi që ka nisur Kryetari i Kuvendit, nuk ka bazë ligjore të mirëfilltë, për shkak se deri në ngritjen e KLGJ dhe KLP, procesi është duke u realizuar në boshllëk ligjor, dhe duke përdorur dispozita tranzitore që kanë humbur fuqinë e tyre.

Në këtë rast, jemi të detyruar të risjellim në vëmendjen qëndrimin e mëparshëm të mazhorancës, të mbajtur nga ish-Kryetari i Komisionit të Ligjeve, për të provuar edhe njëherë se qëndrimi juaj, ndryshon sipas situatës së momentit, duke vepruar në mungesë të plotë koherence, cka provon se qëllimi juaj i vetëm është të arrini rezultatin e synuar – kapjen politike të organeve të reja të sistemit të drejtësisë. Në të njëjtën shkresë të cituar më lart, z. Xhafaj, shprehej se:

“Norma juridike që vendoset si dispozitë kalimtare kushtetuese synon të rregullojë një situatë të vecantë. Ajo është një përjashtim nga rregullat e përgjithshme që gjenden në përmbajtjen e vetë Kushtetutës. Dispozita kalimtare rregullon një marrëdhënie të posacme, për një cështje të vecantë, që zbatohet brenda një afati të caktuar, tej të cilit, objektivisht, bëhet e pazbatueshme. Nëpërmjet disipozitës kalimtare kushtetuese nuk vendosen norma të përgjithshme dhe abstrakte, por norma që i referohen një situate konkrete, një marrëdhënie konkrete dhe që synon të zgjidhë një cështje konkrete.

Në momentin që përmbushet rregullimi i parashikuar në dispozitën kalimtare, ajo bëhet e pazbatueshme për të ardhmen, sepse konsiderohet e shteruar me zbatimin e saj. Pra, natyra shteruese e dispozitës kalimtare e bën atë të pazbatueshme në të ardhmen, për arsye se, në vijimësi, do të zbatohen rregullat kryesore që parashikohen në trungun kushtetues.

……Bazuar në sa më sipër është e qartë se: (i) Kemi Këshill të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi (KPED), që zgjidhet për një periudhë tranzitore,  dhe Këshill të Emërimeve në Drejtësi (KED)”.

Qëndrimi i mësipërm, mbi natyrën e dispozitave tranzitore, në fakt nuk është një qëndrim i z. Xhafaj, por qëndrim i jurisprudencës dhe doktrinës kushtetuese. Në këtërast, pyetja që shtrohet është: “Keni nisur procedurat për zgjedhjen e KPED apo KED? Nëse, keni nisur procedurat për zgjedhjen e KPED, atëherë dëshirojmë t’ju sjellim në vëmendje, se funksionimi i KPED është me afat, dhe ky afat që përcaktohet nga Kushtetuta, tashmëështë tejkaluar dhe realizuar, për pasojë dispozita tranzitore është bërë e pazbatueshme dhe ka rënë nga fuqia. Nëse keni nisur procedurat për zgjedhjen e KED, atëherë duhet të zbatoni nenet 217 e vijues të ligjit, dhe jo nenin 284 të tij.

Në kushtet e mungesës së KLGJ-së dhe KLP-së, përtej afatit maksimal për krijimin e tyre të parashikuar nga Kushtetuta (muaji Prill 2017), zgjidhja e vetme e kësaj situate, do të ishte qëKuvendi të kishte marrë masat e nevojshme, që të plotësonte boshllëkun kushtetues/ligjor, duke ndryshuar dispozitat tranzitore dhe duke parashikuar situatën sesi veprohet në kushtet kur KLGJ dhe KLP nuk ngrihet brenda afatit 8 mujor që ka parashikuar Kushtetuta. Në këtë pikë, duhet të mbahet në konsideratë fakti se dispozitat ligjore tranzitore, nuk mund të shmangin nga zbatimi Kushtetutën, por duhet të detajojnë vetë rregullat tranzitore kushtetuese.Për pasojë, deri në plotësimin e këtij boshllëku, apo krijimit të KLGJ dhe KLP, është e pamundur që të zgjidhet një tjetër KED e përkohshme (KPED), sepse në këtë mënyrë rregulli tranzitor, po shndërrohet në rregull të përgjithshëm, dhe po bëhet i zbatueshëm përtej afatit që ka përcaktuar në mënyrë shteruese Kushtetuta. Në këtë mënyrë, KED që pretendohet të zgjidhet, nga e përkohshme (sic përcakton edhe pika 11 e nenit 179 të Kushtëtutës), po shndërrohet në KED me mandate të plotë (1 vjecar) dhe që nuk zgjidhet sipas rregullave që ka parashikuar neni 149/d i Kushtetutës dhe nenet 217 e vijues të ligjit nr. 115/2016.

Qëllimi i dispozitave tranzitore ligjore nuk është të plotësojnë situata apo rrethana që nuk i parashikon Kushtetuta, dhe aq më pak të bëjnë rregullime të tilla që të vlerësohen si norma që plotësojnë parashikimet kushtetuese! Ky është qëllim i normave të zakonshme ligjore, dhe jo atyre me natyrë tranzitore. Interpretimi i normës tranzitore (në rastin konkret nenit 284), duhet të jetë në harmoni të plotë me dispozitat kushtetuese në fuqi (neni 179). Fryma dhe qëllimi i kushtetutëbërësit në lidhje me rregullimet kushtetuese nuk mund të anashkalohen me zbatime të gabuara dhe jashtë realiteti të dispozitave tranzitore ligjore.

Qartësisht qëllimi i nenit 284 të ligjit, nuk ka qenë të përcaktojë sesi do të veprohet për zgjedhjen e anëtarëve të KED, nëse KLGJ/KLP nuk ngrihen brenda afatit të parashikuar nga Kushtetuta. Qëllimi i kësaj dispozite ka qenë që të detajojë rregullat mbi Këshillin e Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësisë, i cili është ngritur njëherë, dhe vepron brenda një afati të caktuar nga vetë Kushtetuta në nenin 179, pika 11 e saj. Legjislatori në kohën e miratimit të nenit 284 të ligjit, nuk mund të parashikonte që 16 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, KLGJ dhe KLP nuk do mund të ishte krijuar ende. Përkundrazi, legjislatori në miratimin e dispozitës tranzitore ligjore, ka mbajtur në konsideratë parashikimin e bërë në pikën 5 dhe 6 të nenit 179 të Kushtetutës, sipas të cilës “KLGJ apo KLP krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji” (pra, KLGJ/KLP duhet të ishte krijuar brenda datës 12 Prill 2017). Në këtë kuadër, legjislatori nuk mund të parashikonte një rregull tranzitor që do të binte ndesh me Kushtetutën dhe afatin që ajo vetë kishte parashikuar për krijimin e KLGJ/KLP-së.

III. Mazhoranca bllokoi funksionimin e KED-së së përkohshme të zgjedhur në  Janar 2017

Përpara zhvillimit të shortit në Janar 2017, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, nëpërmjet vëzhgueses sëtij znj. Vasilika Hysi, referojë në mënyrë të shprehur tek zbatimi i kritereve që parashikon neni 221 i ligjit nr. 115/2016, me qëllim që gjyqtarët dhe prokurorët të përfshiheshin në procesin e shortit, apo detyrimit të Prokurorit të Përgjithshëm/KLD-së për publikimin e listave dhe pranimin e ankimeve nga gjyqtarët dhe prokurorët. Mirëpo, menjëherë pas rezultatit të shortit, Partia Socialiste, kundërshtojë rezultatin e shortit.

Për shkak të kësaj situate dhe rezultatetit të shortit, mazhoranca pengoi funksionimin e KED-së së përkohshme, edhe pse kjo e fundit kishte për detyrë të vlerësonte kandidatët për ILD (afati i aplikimit është mbyllur që në Qershor 2017), si dhe të vlerësonte kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese (ku rezultojnë 3 vende vakante). Mirëpo, mazhoranca në mënyrë të njëanshme dhe tëgabuar, nxiti qëndrimin që KED e përkohshme nuk mund të fillonte ushtrimin e detyrës, pa u përfunduar më parë procesi i vettingut për anëtarët e saj. Ky qëndrim nuk gëzon mbështetje në Kushtetutë dhe në ligj. Neni 179, pika 11 e Kushtetutës dhe pika 9 e nenit 284 të ligjit nr. 115/2016, parashikon se anëtarët e KED i nënshtrohen menjëherë procesit të rivlerësimit kalimtar të kualifikimit për gjyqtarët dhe prokurorët sipas nenit 179/b të këtij ligji, apo anëtarët e KED i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me përparësi. Realizimi menjëherë apo me përparësi i procesit të vettingut, nuk nënkupton që anëtarët e KED së përkohshme duhet të kenë përfunduar vettingun që të fillojnë ushtrimin e detyrës së tyre. Përparësia apo realizimi menjëherë, përcakton vetëm rradhën e procesit të vlerësimit. Në këtë rast, anëtarët e KED përfshihen në rrethin e subjekteve që vlerësohen me përparësi. Të njëjtit rregull i nështrohen edhe gjyqtarët e GJK dhe GJL, apo Prokurori i Përgjithshëm, mirëpo kjo nuk ka nënkuptuar që ata të mos ushtrojnë detyrën e tyre. Në ato raste, kur ligji ka patur si qëllim që ushtrimi i detyrës të jetë i lidhur me kalimin me sukses të procesit të vettingut, e ka parashikuar atë shprehimisht (shiko nenet 276 apo 279 të ligjit nr. 115/2016, për kandidatët gjyqtarë/prokurorë për në KLGJ/KLP, ku kalimi me sukses i vettingut, shërben si kriter për kualifikimin e kandidatit gjyqtar apo prokuror). Në këtë kuadër, me qëndrimin e saj, mazhoranca (PS) pamundësoi ushtrimin e detyrës për anëtarët e KED në mandatin e tyre.

Aktualisht, anëtarët e KED janë duke iu nënshtruar me prioritet procesit të vettingut, ndërkohë që po ju përfundon mandati, pa filluar të ushtrojnë detyrën e tyre! Në këtë drejtim, mazhoranca qëllimisht ka penguarfunksionimin e këtij institucioni të pavarura, bazuar në vlerësime tërësisht individuale mbi mundësisëose jo për të kontrolluar politikisht këtë strukturë. Roli juaj në këtë proces ka qenë bllokimi i funksionimit të institucionit, duke minuar zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit.

Për të gjitha sa më lart, në mbështetje të dispozitave kushtetuese dhe ligjore në fuqi, shprehim qëndrimin tonë se deri në plotësimin e boshllëkut kushtetues/ligjor të krijuar, apo deri në krijimin e KLGJ dhe KLP, është e pamundur që të zgjidhet një tjetër KED e përkohshme (KPED), sepse në këtë mënyrë rregulli tranzitor, po shndërrohet në rregull të përgjithshëm, dhe po bëhet i zbatueshëm përtej afatit që ka përcaktuar në mënyrë shteruese Kushtetuta. Për pasojë, kërkojmë nga ana juaj, të ndërprisni menjëherë procedurën për organizimin e shortit që keni nisur në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, duke kërkuar vlerësimin/opinionin e Këshillittë Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë mbi zgjidhjen e këtij boshllëku kushtetues/ligjor.

Në përfundim, sjellim në vëmendjen tuaj se kemi konstatuar me shqetësim të thellë se zbatimi i ligjeve të reformës në drejtësi, është shndërruar në një mekanizëm kapje të organeve të sistemit të drejtësisë nga mazhoranca, e cila nuk po vepron sipas parashikimeve kushtetuese dhe ligjore, por sipas vullnetit të saj të njëanshëm. Duke vepruar nëkwtw mënyrë, ju po minoni zbatimin rigoroz të Kushtetutës dhe ligjit, me pasoja të parikuperueshme në ngritjen e shpejtë dhe fillimin e punës së organeve të reja të sistemit të drejtësisë. Rast tipik është bllokimi i funksionimit të KPED të zgjedhur në Janar 2017, cka solli bllokimin e emërimeve në Gjykatës Kushtetuese. Bllokimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi (mosngritja e KLGJ/KLP) është në interesin e mazhorancës, të cilës nuk i interesojnë institucione të forta të pavarura, por institucione jo funksionale dhe lehtësisht të intimidueshme. Duke vepruar në boshllëk ligjor apo duke ndërhyrë aktivisht në proces, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, mazhoranca po kontrollon në mënyrë të paligjshme krijimin e organeve të reja të sistemit të drejtësi, cka përbën rrezik real për rezultatin e pritshëm të vetë Reformës në Drejtësisë.

Me shpresën për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit nga ana juaj,

KRYETARI

EDMOND SPAHO

 

(J.V/Faxweb)

Fjalët Kyce

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *