Nesër do të zhvillohen zgjedhjet për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, mirëpo disa prej anëtarëve të kësaj force politike e kanë bërë publike që sot votën e tyre.
Ashtu siç raportoi “Shuplaka”dy ditë më parë, materialet zgjedhore janë gati dhe janë shpërnadrë nëpër degët përkatëse. Por disa prej anëtarëve që e kanë marrë që sot fletën e votimit, e kanë hedhur votën e tyre dhe më pas e kanë publikuar në rrjetet sociale.
“Nesër vota ime shkon per #LulzimBashen”- shkruan anëtari Evaris Prishta.
“Nesër votohet për kryetarin e PDSH. Votimi fillon në orën 08:00 deri në orën 19:00, tek selia e PD-së Shkodër.
Ju lutem të gjithë anëtarësisë të grupseksionit nr.4, të marrin pjesë masivisht në votim.”, shkruan Arben Lushaj i cili gjithashtu nga fotoja duket se voton Lulzim Bashën.
Mirëpo ka edhe të tjerë anëtarë të PD-së që shprehen të pakënaqur me fletën e votimit për shkak se nuk ka numër serie.
“Rritet demokracia e brendshme e PD! Fleta e votimit per kryetar nuk paska numer serie. Por meqe z. Basha qenka ne vend te pare megjithese i fillon emri me L qe ne alfabet eshte pas germes E, ti kishin vene nje x qe ne shtypshkronje e te mos kishin lodhur antaresine”- shkruan Gent Kaprata që nuk ka treguar se për cilin do votojë.
Kujtojmë se në garë për postin e kryetarit janë Lulzim Basha, i cili ndodhet i pari në fletën e votimit si edhe Eduard Selami që ndodhet i dyti në fletën e votimit. Nesër pritet të votojnë rreth 103 mijë anëtarë me të drejtë vote të Partisë Demokratike. Zgjedhjet do të zhvillohen në mbi 60 degë, ndërsa në mbarë Shqipërinë do ketë 72 qendra votimi. Si Basha ashtu edhe Selami do të ketë vëzhgues në çdo komision votimi. (D.D/Shuplaka)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”2473″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]