Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu njoftoi sot se është arritur një marrëveshje për armëpushim në Siri.
“Ne kemi krijuar një politikë të qartë: demilitarizimin e zonës në jug të Damaskut dhe mbrojtjen e vëllezërve tanë, Druzëve. Unë i dhashë udhëzime IDF-së të veprojë me forcë, sepse regjimi i Damaskut dërgoi ushtrinë e tij në jug të kryeqytetit dhe masakroi druzët. Si rezultat i veprimeve tona të intensifikuara, është vendosur një armëpushim dhe forcat siriane janë tërhequr përsëri në Damask”, tha ai.
Më herët gjatë ditës, qeveria e presidentit sirian Ahmed al-Sharaaa kishte njoftuar tërheqjen e ushtrisë nga zonat ku jetojnë druzët.
Agjencia Reuters ka raportuar gjithashtu se udhëheqësi fetar i druzëve, sheiku Yousef Jarbou, kishte deklaruar se druzët sirianë kishin arritur një marrëveshje me qeverinë siriane, e cila do të hynte në fuqi menjëherë.