Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla reagon pas deklaratave të një dite më parë të kreut të opozitës Lulzim Basha, ku ai e etiketoi atë me fjalët “ministrja e salcës” dhe tha se ajo është bërë pronare e një vile të shtrenjtë.
Në një kundërsulm, ministrja e cilëson Bashën si një nxënës të dobët dhe përgënjeshtron lajmin që shumë të tjerë e kanë thënë përpara Bashës, duke filluar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
“Lulzim Basha, je një nxënës shumë i dobët i mësuesit tënd! Por meqë për fatin e keq të opozitës je drejtuesi i saj, më duhet të të përgjigjem për akuzën e ulët ndaj meje, që sipas teje qenkam bërë me “vilë shumëmilionëshe”.
Është shumë e thjeshtë z. Basha:
Lëri deputetët e tu të vinë javën e ardhshme të votojnë bashkë me ne vettingun në parlament dhe pastaj e vendos drejtësia e pastruar nga të korruptuarit, se sa milionë euro është shtëpia ime dhe sesa mijelekëshe është pasuria jote!
Por ti je fshehur në çadër bashkë me gjithë deputetët e tu, pikërisht sepse në vend të vettingut, preferon baltën ku e zhyti Shqipërinë qeveria e partisë tënde!
Hapi rrugë vettingut dhe mos thirr si një hileqar i dëshpëruar njerëzit në rrugën tënde, për të bllokuar vettingun, drejtësinë, Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër!”, shkruan Nikolla.
Një ditë më parë, nga “Çadra e Lirisë” Lulzim Basha tha para protestuesve që gjëja e parë që do bënte kur të bëhej kryeministër, do jetë anullimi i ligjit për arsimin e lartë.
“Orën time të parë do të firmos anulimin e ligjit për arsimin e lartë, që ka bërë shqiptarët të paguajnë dyfish për të shkolluar bijtë dhe bijat e tyre. Ne nuk do të pranojmë kurrë që vendimet për arsimin e lartë ti bëjnë anjë grusht politikanësh dhe për më tepër ministrja e salcës. Këto do ti marrin trupa e pedagogëve dhe studentëve, ne do të financojmë arsimine lartë. Nuk do ketë asnjë të ri dhe të re shqiptare që do të mbetet pa shkollë prej mundësive ekonomike. Mos prisni as më shumë e as më pak sesa modelin europian të arsimit nga unë”, ka thënë Basha.