Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një tjetër platformë ditën e sotme.
“Siguria në shkolla” do nisë në gjimnazin “Qemal Stafa” nga ku kryeministri foli për 15 shkollat e para që do kenë oficerë sigurie, për të ruajtur sigurisë.
Rama tha se këta oficerë nuk do jenë policë por kujdestarë.
“Oficeri i sigurisë ose oficerja – tha Rama, – që do të vendosen fillimisht në 15 shkolla si pjesë e parë e zbatimit të programit për të parë në përditshem duke nisur nga muaji mars, do të shtrihen në të gjithë rrjetin e gjimnazeve.
Pse ne mendojmë që në këtë fazë që shkollës t’i bashkëngjitet figura e oficerit të sigurisë?
Sepse jemi të vetëdijshëm që mes mësuesve dhe nxënësve dhe Policisë së Shtetit për të gjitha rastet shqetësuese në jetën e shkollës ka një boshllëk, hendek dhe është normale që nëse administrata e shkollës ndesh me vështirësi të caktuara që lidhen me dhunë, shitjen apo konsumit të lëndës narkotike, mungesës së disiplinës në tërësi është e pamundur që këto të adresohen duke përfshirë direkt Policinë.
Për këtë arsye do të krijohet figura e oficerit të sigurisë, që nuk është një polic, që nuk vjen në harkun e shkollës për të ushtruar kontrolle, që nuk ka asnjë detyrë për të marrë masa por i bashkëngjitet trupës së shkollës dhe prindërve si figurë kujdestari për mbarëvajtjen e bashkëjetesës jashtë klasës, në oborr dhe marrëdhënien me jashtë. Pra një urë komunikimi qoftë mes nxënësve, mësuesve e nxënësve dhe mësuesve-nxënëse-prindërve si dhe me Policinë.” tha Rama.
(F.G/Faxweb)