Çfarë po ndodh me vlerat historike në vendin tonë? Apollon Bace, akademik/arkeolog dhe Sazan Guri, studiues kanë qenë të ftuar sot në studion e lajmeve të Fax news, ku kanë diskutuar për disa nga shqetësimet më të mëdha siç është çështja e Velierës apo ajo e shkuljes së kalldrëmit në Gjirokastër.
Baçe tha se në rastin e Velierës ligji është shkelur në mënyrë flagrante, ndërsa qytetarët dërgohen në burg vetëm për një ndërtim të çatisë së tyre.
“Në Shqipëri ligji shkelet e askush nuk dënohet, zonat e mbrojtura nuk duhet lejuar hyrja. Hartën e Durrësit e kam bërë unë në vitin 1970 dhe besoj se e kam bërë mirë. Ligjet që nuk zbatohen nuk janë më ligje.
Si ka mundësi që ti të mbulosh Durrësin me 6 milionë euro, kur ato para mund të investoheshin në çarçafët e spitaleve. Ne jemi në diktaturë, jo vetëm se bëjmë atë që duam, po edhe për shkak se nuk pyesim për dëmet që i shkaktojmë shtetit. Unë them nganjëherë në kohën e komunizmit që ka pasur ligje të këqija që zbatoheshin mirë, tani ka ligje të mira që zbatohen keq”, u shpreh Baçe.
“Ligji që mbron Velierën është shumë i forte. Qeveritarët nuk pyesin fare për ligjet që shkelin. Gjyqtarët manipulohen nga qeveritarët e vendit, ne nuk e duam vendin tonë, po e humbasim çdo ditë”, tha Guri.
Ndërkohë që Baçe tha më tej se në vendin tonë nuk ka një bashkëjetesë mes modernes dhe antikes.
“Shkelja e ligjit duhet të jetë e pafalshme, Rama me një VKM i ka bërë legjitime shkeljet e ligjit”, u shpreh më tej Baçe.
Ndërkohë akademiku tha se për ndërhyrjen në Gjirokastër çështja qendron ndryshe,.
“Për Gjirokastrën nuk kam qëndrim ekstrem. Kalldrëmi janë të 40 viteve më parë, nuk ishte ndonjë gjë edhe shumë e bukur, ndonjë gjë kushedisi, mund të ketë pasur nevojë për rinovim. Kalldrëmi nuk do të hiqet me bisturi, por me kazëm. Për kalldrëmin mjafton që të jenë punëtorë të mire. Veliera është çështje tjetër, është rast skandaloz”, tha më tej Baçe.