Një krim i rëndë në familje tronditi kryeqytetin dhe vendin ku një 37-vjeçare ka gjetur vdekjen nga dora e motrës së saj, pas një konflikti që nisi në banesë. Amanda Pushani është gjetur e vdekur në banesën e saj në rrugën ‘Hajdar Hidri’ në Tiranë me shenja thike në trup dhe dyshohet të jetë vrarë nga motra e saj 40-vjeçare.
40-vjeçarja deklaroi në polici,se vrasjen e ka bërë në kushtet e vetëmbrojtjes. Marsela Pushani ka dëshmuar se motra e saj prej më shumë se 10 vitesh ishte e alkoolizuar dhe kishin debatuar që ajo të linte alkoolin.
Për të folur rreth pasojave të këtij krimi të rëndë në familje ku kryefjala ishte alkooli, e ftuar në studion e FaxNews ishte psikologia Entela Binjaku.
Me anë të një lidhjeje ‘Skype’ me gazetaren Rovena Neziri, Binjaku u ndal të fliste rreth situatës së vështirë që përballet familja shqiptare kundrejt alkoolit por edhe substancave të tjera.
Binjaku u shpreh se vendi ynë është ende në fazën ku të kërkosh ndihmë rreth varësive konsiderohet si ‘tabu’, ku edhe nuk përjashtoi mundësinë se edhe kur kërkohet ndihma ajo bëhet e papërballueshme ekonomikisht për shkak të kostos së lartë.
Sakaq, psikologia u shpreh gjithashtu se mungojnë institucionet e specializuar në vend për të ofruar këtë shërbime ndaj edhe qytetarët i drejtohen zgjedhjeve alternative ndaj këtyre varësive.
“Ngjarjen e kam parë me një keqardhje të madhe, me një trishtim të madh për tronditjen e cila pësoi këtë tronditje. Nuk mund të isha indiferente edhe ndaj alkoolit, e cila ka qenë teme kyçe e kësaj ngjarjeje për këto ditë. Raste të tilla ku në qendër janë probleme të abuzimit me lëndë narkotike dhe abuzime me alkoolin janë më të shpeshta. Edhe pse me shumë dashuri, familja nuk mundet që e vetme t’ia dali me këtë problem kaq të madh. Familjarët në vendin tonë edhe pse duan të ndihmojë, ndihen të pafuqishëm pasi nuk kanë ekspertizën e duhur për ti trajtuar këto raste. Edhe pse pas 30 viteve, në vendin tonë e kemi të vështirë ti qasemi këtij shërbimi, pasi ata kushtojnë shumë dhe nuk munden të përballohen ose të mbulohen nga sigurimet shëndetësore. Ndodh edhe kur familjarët i neglizhojnë këto probleme për shkak të kostove, çka edhe mund të përkeqësojnë situatën. Qasjen te marrja e shërbimeve edhe në rastin e alkoolit është e vështirë, pasi ne edhe si shoqëri e konsiderojmë si ‘tabu’ kërkimin e shërbimit psikologjik, edhe pse vitet e fundit ka pasur tentativave për ndryshim. Ne nuk kemi qendra rehabilitimi, por edhe kur ka ndërgjegjësim dhe kërkohet ndihmë nuk ka shërbime të specializuar për to. E gjitha kjo nuk mund të lihet në duart e familjarit por edhe e institucioneve”, u shpreh psikologia.