Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka shprehur mbështetjen e saj për ministrin italian të Transportit dhe sekretarin e Ligës Matteo Salvini, pas kërkesës së sotme të prokurorëve të Palermos për ta dënuar me gjashtë vjet burg.
Kërkesa për dënimin ë tij, ka të bëj me një vendim të tij në kohën kur ishte ministër i Brendshëm, në gusht 2019, për të mos lejuar zbarkimin në Itali të 147 emigrantëve dhe refugjatëve që ishin shpëtuar nga anija e organizatës joqeveritare spanjolle, Open Arms.
Në reagimin e saj, Meloni e ka konsideruar të paimagjinueshme që të dënohet një ministër, që sipas saj ka bërë detyrën për mbrojtjen e kufijve të vendit.
“Është e paimagjinueshme që një ministër i republikës sonë sovrane të rrezikojë të dënohet me gjashtë vjet burg për kryerjen e detyrës, mbrojtjen e kufijve të kombit, siç kërkuan qytetarët me votën e tyre”, tha Meloni.
“Të bësh një krim detyrimin për të mbrojtur kufijtë e Italisë kundër imigracionit të paligjshëm, përbën një precedent shumë të rëndë. Shpreh solidaritetin tim të plotë me Salvinin”, shtoi më tej kryeministrja italiane.
Matteo Salvini akuzohet se u ka hequr lirinë emigrantëve dhe se ka refuzuar të vazhdojë me veprimet e imponuara nga aparati shtetëror.
Nga ana e saj, avokatja mbrojtëse e Salvinit, Giulia Buggiorno, nënvizoi se “me vendimin e sotëm, prokurori kundërshton dekretet e qeverisë për emigracionin, kundër vijës mbi të cilën duhet të vendoset fillimisht rishpërndarja e emigrantëve dhe vetëm më pas të vijojë zbarkimi i tyre”.
“Ka një parim bazë që nuk mund të kontestohet. Midis të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së sovranitetit të shtetit, bazuar në parimet tona demokratike, e para duhet të mbizotërojë gjithmonë”, tha gjatë fjalës së tij zëvendësprokurori Geri Ferrara. “Kush është në rrezik dhe është në det, duhet të shpëtohet. Pavarësisht nëse është pasagjer, anëtar ekuipazhi apo emigrant”, shtoi ai.
Sipas prokurorëve të Palermos, Salvini ka vepruar në vitin 2019 jo për një strategji të rënë dakord me qeverinë Conte, por nga interesi për të rritur konsensusin e tij elektoral duke nxitur luftën kundër imigracionit të paligjshëm.
Sipas prokurorisë, në bordin e anijes nuk kishte rrezik për terrorizëm dhe për këtë arsye nuk kishte nevojë të mbrohej sovraniteti i shtetit, për më tepër, kushtet e emigrantëve për shkak të atij veprimi u përkeqësuan dita-ditës, raporton ANSA.
Për të justifikuar kërkesën për dënim, prokurorja Marzia Sebella nënvizoi se “POS duhej të lirohej pa vonesë dhe menjëherë, mohimi ishte në mospërfillje të rregullave dhe jo për të vazhduar një plan qeveritar”, dhe se “mohimi i vetëdijshëm dhe vullnetar, shkeli lirinë e secilit prej 147 njerëzve dhe nuk kishte asnjë arsye.”