Analisti Alfred Lela në një editorial të publikuar së fundi në median që drejton, shprehet se i ka dalë kundër një shkrim që kishte bërë rreth një vit më parë për drejtorin e Top Channel Ben Blushi, kur ku i fundit merrte detyrën menaxhariale.
Lela shkruante asokohe entuziast se Blushi me Top Channel do të bëhej parti e parë, po mesa duket me zhvillimet dhe qëndrimet e ketij televizioni ka mbetur i zhgënjyer.
Lela thotë se interesat ekonomike kanë bërë që në ekranin e televizionit kombëtar të mos shfaqen disa nga ngjarjet më të rëndësishme të kohëve të fundit, siç ishte protesta për Teatrin apo ajo e studentëve.
‘’Por, Blushi i ‘Koha jonë’ i përket, me sa duket, një kohe që nuk vjen më. Të paktën kjo është përshtypja e dhënë në muajt e gjatë pas editorialit te Politiko.al. Tempi dhe tehu opozitar, që ai gjeti në syth të shpërthimit, u mpakën nga dita në ditë dhe Top Channel u bë shpejt një media pro-qeveritare.
Edhe në kauza të mëdha, që kanë të bëjnë me të shkuarën dhe të ardhmen, të cilat një shkrimtar i ardhur nga politika dhe i arratisur në menaxhment, duhet t’i përqafojë si të tijat- me çfarë ka mbetur nga intelektuali i rrudhur në menaxher-, Blushi nuk mundi, nuk deshi apo nuk diti të takohej me pretendimet e retorikës së vet publike”, shkruan mes të tjerave Lela.
Reagimi i plotë i Lelës:
Një publicist i njohur, thotë ndonjëherë me vetëironi: më ka dalë shkrimi kundër. E ka fjalën, besoj, për rastet kur i kthehet mbrapsht, si bumerang, ndonjë ide apo tezë. Komentatorët politikë duhet të dinë të mos e marrin veten seriozisht, pra të jenë vetëironikë dhe, ta pranojnë, siç bën publicisti ynë, kur idetë e tyre në letër nuk përputhen ndokund me atë që ndodh në realitet. Në këtë artizanat dhe shkencë të parashikimit politik, që britanikët e quajnë punditry (shqiptimi i saj të mos ngatërrohet me banditëri), gabimi është sivëlla i hapit të hedhur në mendim.
Edhe mua më ka dalë një shkrim (ose disa) kundër.
Para një viti e ca, kur Ben Blushi mori detyrën e Drejtorit të përgjithshëm të Top Channel, nuk mund të mos e salutoja me një editorial te Politiko. Jo se ai kishte nevojë për njatjetën time, por mendoj se peizazhi mediatik shqiptar, me mediat tradicionale (mainstream apo të vjetra), në flirt të përhershëm me pushtetin, ia ndjente nevojën faktit që një ish-deputet socialist, i paraqitur publikisht si alternativë e Ramës, të merrte drejtimin e televizionit kryesor në vend, i cili kishte filluar të lëshonte regëtima opozitarizmi ndaj kryeministrit.
Në këtë kryqëzim shpresoja se do takoheshin, si nevoja balancuese e shoqërisë dhe e medias për një front kundërshtimi ndaj pushtetit, gjithnjë e më shumë të panginjur të Ramës, ashtu dhe përvoja e kahershme e Blushit opozitar.
Por, Blushi i ‘Koha jonë’ i përket, me sa duket, një kohe që nuk vjen më.
Të paktën kjo është përshtypja e dhënë në muajt e gjatë pas editorialit te Politiko.al. Tempi dhe tehu opozitar, që ai gjeti në syth të shpërthimit, u mpakën nga dita në ditë dhe Top Channel u bë shpejt një media pro-qeveritare. Edhe në kauza të mëdha, që kanë të bëjnë me të shkuarën dhe të ardhmen, të cilat një shkrimtar i ardhur nga politika dhe i arratisur në menaxhment, duhet t’i përqafojë si të tijat- me çfarë ka mbetur nga intelektuali i rrudhur në menaxher-, Blushi nuk mundi, nuk deshi apo nuk diti të takohej me pretendimet e retorikës së vet publike.
Teatri Kombëtar dhe protesta e studentëve nuk e panë ditën e diellit në kronikat, dhe aq më pak në linjën editoriale të Top Channel. Sigurisht, Topi është një kanal i madh dhe rrjedhimisht ka të tilla edhe interesat. Madhësia nuk pritet të jetë madhështi, por interesat private apo tregtare duhet të përputhen diku me të publikut.
Sepse, media është një gjë publike edhe kur është private. Duke qenë e tillë, res publica, i duhet të marrë, të pranojë dhe të përtypë, jo vetëm salutimet, por edhe kritikat.
E tillë duhet të jetë koha jonë, edhe pse njerëzit në të nuk janë përherë të saj.
(E.K/FAXWEB.AL)