Opozita parlamentare e ka bërë zyrtare kërkesën e saj për ndryshim të sistemit zgjedhor nëpërmjet një projektligji ku kërkohet ndërhyrja në nenin 64 dhe 68 të Kushtetutës dhe kalimi në një sistem zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal.
Në të njëjtin projektligj kërkohet që për shpërndarjen e mandateve, partitë duhet të kalojnë pragun prej 5 për qind në rang vendi.
Gjithashtu propozuesit kërkojnë që: “Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore, sipas përcaktimeve të ligjit për zgjedhjet.”
Një pikë tjetër e rëndësishme e propozuar në këtë projekligj është dhe ndalimi i koalicioneve parazgjedhore, ndërsa kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike dhe nga vetë zgjedhësit.
“Amendamentet e propozuara, synojnë shndërrimin e sistemit zgjedhor nga ai aktual që bazohet në sistemin proporcional me konkurrim rajonal me lista te mbyllura në një sistem i cili në vlerësimin e propozuesve, referon më mirë dhe në format më demokratik vullnetin e votuesit.”, thuhet në relacionin bashkëngjitur këtij projkeligji të propozuar nga vetë deputetët e opozitës parlamentare.
Gjithashtu në këtë relacion propozuesit vlerësojnë se:
-Sistemet me listat e hapura fuqizojnë votuesit duke i lejuar ata të zgjedhin kandidatët individualë të partisë sipas zgjedhjes së tyre duke votuar direkt për ta sesa për lista partiake të kandidatëve në tërësi;
-fuqizimi i votuesit mund të zvogëlojë fuqinë e drejtuesve të partive për të imponuar kandidatët e paracaktuar në elektorat. Efekti i dëshiruar është që kandidatët të jenë më shumë të përgjegjshëm ndaj votuesit dhe më pak para drejtuesit të partisë;
-Krahasimi midis sistemeve elektorale tregon një marrëdhënie pozitive midis listës së hapur dhe qeverisjes së mirë (antikorrupsionit).
-Vendet më të zhvilluara demokratike kanë sisteme me lista të hapura ku votuesit mund të përzgjedhin kandidatët (Islanda, Letonia, Monako, Norvegjia dhe Zvicra); vendet me një sistem të hapur përzgjedhje d.m.th. ku votuesit mund të përziejnë kandidatët nga listat e partive të ndryshme (Lihtenshtajni, Luksemburgu, Monako dhe Zvicra) dhe vendet që përdorin sistemin me vota të vetme të transferueshme (Irlandë dhe Maltë);
-Listat e hapura do të favorizojnë kandidatët më të kualifikuar duke qenë se përzgjedhja e tyre do të varet nga elektorati.
Përfaqësues të grupit opozitar në Kuvendin e Shqipërisë pritet të kenë dhe një komunikim publik sot në mesditë nga Kryesia e këtij institucioni në lidhje me këtë projektligj të propozuar prej tyre.
Kujtojmë se pas marrëveshjes së partive politike në Këshillin Politik, shumë deputetë të opozitës brenda Parlamentit u shprehën se nuk do ta votojnë në seancë plenare nëse nuk përfshihet dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor, gjë për të cilën partitë e mëdha ishin në një ‘mendje’ për këtë çështje.