Kryetari i PD-së në Durrës Ferdinand Xhaferri thotë se opozita e bashkuar ka bllokuar sërish një marrëzi të Bashkisë Durrës pasi tentoi t’i japë me qera oborret e shkollave.
Në një koferencë për mediat Xhaferri u shpreh gjithashtu se është ngritur edhe problemi i djegies së mbetjeve në ambient të hapur, ku sipas tij të vetmit që heshtin për këtë problem janë kryebashkiaku Vangjush Dako dhe kryeministri Rama.
Një tjetër shqetësim që artikuloi Xhaferri ishte edhe implimentimi i projektit të ujësjellësit ku sipas tij nuk është implementuar as 30% e këtij projekti, vlera e të cilit shkon në 90 milionë dollarë.
Kujtojmë që në prill këshilltarët e bashkuar të opozitës rrëzuan taksën e banesës në Këshillin Bashkiak, të paraqitur nga Bashkia e Durrësit.
Me 23 vota pro dhe 16 kundër ky projekt vendim nuk arriti të miratohej. Këshilltarët e opozitës u shprehën se kjo taksë do të rëndonte në xhepat e qytetarëve, ndërsa Dako ishte shprehur se taksat vendore janë ulur në Durrës, por se ky unifikim është VKM e qeverisë.
Sinjalet janë që bashkëpunimi mes PD-së dhe LSI-së të vazhdojë edhe në zgjedhjet lokale, madje Monika Kryemadhi paralajmëroi mbrëmë se Rama do të humbë pushtetin në 5 bashki: Fier, Patos, Roskovec, Lushnje dhe Divjakë.
Në Durrës bashkimi mes forcave opozitare e ka rrëzuar disa herë Dakon, ndërsa mbetet për t’u parë në zgjedhjet lokale nëse PD dhe LSI do të kenë të njëjtin rezultat. Duhet theksuar se për Dakon ky është mandati tretë, ndërsa përflitet për një rikandidim të katërt. A ka nisur fronti opozitar një luftë muskujsh me një nga kryebashkiakët më jetëgjatë dhe me një influencë të jashtëzakonshme në qytetin bregdetar?! Por në rastin e Vangjush Dakos, nuk duhet nënvlerësuar mbështetja e Ramës, të cilën ai tashmë e gëzon prej shumë vitesh…
(B.H/Faxweb)