Opozita e ka zhvendosur sot Kuvendin e saj në qytetin e Elbasanit, që kohëve të fundit është kthyer në një vatër për krimin dhe për bandat.
Deputetët e PD-së dhe të LSI-së janë parë që ti drejtohen hotelit kryesor të qytetit, ndërsa Sali Berisha dhe Lulzim Basha kanë pasur një takim kokë më kokë mes tyre. Duket se dy drejtuesit e PD-së do të vendosin dhe piketat e takimit, dhe fokusin e deputetëve opozitarë.
‘Në takimin e jashtëzakonshëm të opozitës parlamentare në Elbasan kundër krimit me mbështetje qeveritare’, thotë Basha në reagimin e tij të parë nga ky takim.
Sipas kryedemokratit Policia e Shtetit është e lidhur kokë e këmbë me bandat, dhe këtë e vërteton dhe aksioni më i fundit në Shkodër, që ka përfunduar vetëm me disa armë dhe mjete të sekuestruara.
Ajo që bie sy në këtë takim në Elbasan është mungesa e kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, edhe pse deputetët e tjerë të kësaj force politike janë të pranishëm.
(E.K/FAXWEB.AL)