Koncesioni i laboratorëve është fituar nga kompania ‘Labopharma’, me aksioner të vetëm Janis Karathano, ortak i Vilma Nushit, i cili është aksioner i vetëm edhe i kompanisë ”Pegasus”, drejtuese e së cilës është Nazife Bello, e ëma e drejtoreshës së Farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë, Shpresa Bellos.
Sipas një hulumtimi të Hashtag.al katër ditë më parë, kompania‘Pegasus’ shpk, rezulton e lidhur me Drejtoreshën e Farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë, Shpresa Bello dhe ka përfituar miliarda nga koncensionet dhe prokurimet dhëna nga ministria në 4 vitet e fundit.
Kompania ‘Pegasus’ shpk, rezulton e lidhur dhe me koncensionin e rëndësishëm të ‘Check-Up’-it, të fituar nga biznesmenia Vilma Nushi.
Nga dokumenti ku janë klasifikuar operatorët që kanë marrë pjesë në koncesionin 130 milionë dollarë të laboratorëve, janë kualifikuar vetëm 3 bashkime operatorësh, ndërsa të skualifikuar janë: Spitali Amerikan, Montal, Genius, Fedos dhe Biometric Albania.
Labopharma Sh.p.k (%41.7), në bashkëpunim me Exalab France (%25) & dhe AB Laboratory Solutions B.V (%33.3) Netherland (Holandë), kanë marrë pikët maksimale, 98.14.
Kompania ‘Labopharma’ që ka fituar koncesionin e laboratorëve ka si aktivitet tregtinë e produkteve farmaceutike, pajisjeve të laboratorëve etj. Në vitin 2015 qarkullimi ë saj vjetor është rreth 137 mijë euro, ndërsa humbja është rreth 160 mijë euro po për atë vit.
Shoqëria ka qenë e pezulluar deri në gusht 2015 dhe më pas është bërë sërish aktive. Periudhën më të mirë e ka pasur në vitin 2009, kur deklaroi rreth 730 mijë euro xhiro dhe fitime prej 240 mijë euro, por më pas aktiviteti i saj ka ardhur në rënie.
Koncesioni 130 milionë dollarësh i laboratorëve do të zgjasë 10 vjet.(V.G/SHUPLAKA)