Opinionisti Arben Vata, ka reaguar lidhur me mospërfshirjen e Jozefina Topallit dhe Astrit Patozit, në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, për zgjedhjet e 25 qershorit.
Në një postim në Facebook, Vata shprehet se dy politikanët e “harruar” nga kryedemokrati Lulzim Basha, ishin shansi i PD-së për t’u përballur me kundërshtarin. Madje sipas tij, PD pa Topallin e Patozin, është një parti pa këmbë e pa mendje të fortë.
REAGIMI I PLOTË
PD pa Topallin e Patozin, parti pa këmbë dhe pa mendje të fortë
Një PD pa Topallin dhe Patozin në parlament, është një parti që do t’i mungojë forca dhe elokuenca; përvoja dhe debati intelektual parlamentar.
Nëse çdo gjë do të lihet sërish në dorë të Berishës është zgjedhje e gabuar. Jo se ai nuk e përballon, por është koha për vijimësinë e brezave. Strazmiri nga brezi i politikanëve të kësaj moshe është thuajse i vetëm në parlament dhe shumë pak për të marrë përsipër barrën e rëndë të përballjes me kundërshtarin. Topalli dhe Patozi ishin mundësitë më të mira për këtë, por fatkeqësisht u lanë jashtë listës së përfaqësimit.
Besoj se kështu mendojnë shumica e atyre që e duan PD. Sa për pjesën tjetër të listës së PD, duhet thënë se gjithmonë ka vërejtje në të tilla raste. Duket qartë se kandidatët e rinj nuk janë kontribuesit realë të PD në betejat publike dhe ato të rrafshit intelektual me kundërshtarin. Në një vështrim të parë një pjesë e tyre nuk krijojnë ndonjë impakt mbresëlënës për votuesit.
Por sigurisht më të qetë janë socialistët kur kanë përballë emra të tillë të rinj. Megjithatë, suksese ekipit të ri demokrat.
Nuk është çudi që edhe në politikë të ndodhin mrekulli, sikurse në futboll. Loja sapo ka filluar dhe të presim deri në fershellimen e fundit. Të shpresojmë që kandidatët e opozitës të jenë të aftë për të përballuar si arbitrin, si kundërshtarin por edhe tifozërine që në të tilla raste ka zakonin të shkojë nga më i forti. Megjithatë suksese ekipit dhe trajnerit të opozitës. (D.D/Shuplaka)