Pas vizitës së senatorëve amerikanë në Shqipëri, ku takuan edhe udhëheqësen e opozitës iraniane, Maryam Rajavi, analisti Kastriot Myftaraj paralajmëron një luftë mes Shqipërisë dhe Iranit.
“Ka një rregull të njohur në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kur një shtet strehon në territorin e vet një organizatë politiko-ushtarake që vepron për përmbysjen me dhunë e regjimit në fuqi në një shtet tjetër, ky shtet i dytë ka të drejtë të reagojë duke kryer sulme të dhunshme në territorin e shtetit të parë. Në këtë pozitë gjendet Shqipëria në raport me Iranin. Shqipëria dhe Irani kanë marrëdhënie diplomatike dhe të dy vendet në dokumentet bazike të marrëdhëniet dypalëshe janë shprehur për të mos dëmtuar njëri-tjetrin. Irani i është përmbajtur këtij zotimi, Shqipëria jo.”, komenton Myftaraj pas këtij takimi.
Sipas analistit, Shqipëria është praktikisht në luftë me Iranin dhe kjo duhet marrë shumë seriozisht. Madje shton se Teherani ka të drejtë të ndërmarrë akte lufte kundër Shqipërisë.
“Shqipëria është praktikisht në gjendje lufte me Iranin dhe kjo është një gjë që duhet marrë shumë seriozisht. Pikësëpari sepse qeveria shqiptare ka shkelur ligjet në fuqi në Shqipëri duke e bërë vendin bazë të një organizate që shpall se lufton për përmbysjen me dhunë të regjimit në fuqi në Teheran, çka e legjitimon Iranin të veprojë kundër vendit tonë.”
Kujtojmë se një delegacion senatorësh amerikanë ka udhëtuar drejt Tiranës këto ditë, për t’u takuar me udhëheqësen e opozitës iraniane, Maryam Rajavi, që kryeson Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit.
Lajmi është pasqyruar jo vetëm nga mediat shqiptare, por edhe nga media prestigjioze ndërkombëtare, të cilat shkruajnë se senatorët Roy Blunt, John Cornyn dhe Thom Tillis kanë takuar edhe anëtarë të organizatës së popullit muxhahedin të Iranit në Tiranë.
SHKRIMI I PLOTË I MYFTARAJT
Shqipëria është praktikisht në gjendje lufte me Iranin dhe kjo është një gjë shumë serioze
Katër senatorë amerikanë erdhën këto ditë në Tiranë dhe takuan zonjën Maryam Rajavi në cilësinë e Presidentes në mërgim të Iranit dhe të kryetares së lëvizjes politiko-ushtarako për përmbysjen e regjimit në fuqi në Iran, të quajtur Organizata e Muxhahidinëve të Popullit Iranian(MEK). Ata biseduan me të si me kryetaren e shtetit të Iranit në mërgim, dhe ashtu u foli ajo. Senatorëve iu bënë nderime ushtarake nga garda presidenciale e Rajavit në selinë e saj në Kashar, pranë qytetit të Tiranës.
Nuk është e hera e parë që ndodh kështu, në prill këtë e ka bërë senatori McCain. Këto vizita të senatorëve amerikanë në Kashar sponsorizohen nga Arabia Saudite e cila është financuesja e veprimtarisë së MEK, për shkak të rivalitetit me Iranin në Gjirin Persik.
Vizita e senatorëve amerikanë në Shqipëri ndodhi pas tensionimit të ri të marrëdhënieve SHBA-Iran për shkak të sanksioneve që Kongresi Amerikan i vuri Iranit, duke bërë nul marrëveshjen e Administratës së Obamës me këtë vend. Reagimi i Iranit ka një gjë që duhet ta shqetësojë shumë Shqipërinë dhe duhet të kishte bërë që Presidenti Meta të kishte thirrur me ngut mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke e bërë Kryeministrin Rama të ndërpriste pushimet.
Parlamenti i Iranit, me kërkesën e Presidentit vendosi të urdhërojë zyrtarisht Gardën Revolucionare të Iranit që të ndërmarrë operacione antiterroriste ndaj forcave subversive me bazë jashtë vendit që veprojnë për përmbysjen e regjimit në Iran, me sponosorizimin e armiqve të Republikës Islamike. Vendimi shënjestron pikësëpari qeverinë iraniane të mërgim të kryesuar nga Zonja Raxhavi, dhe krahun ushtarak të kësaj qeverie, MEK.
Kjo do të thotë se Shqipëria, si strehuese e tyre tashmë është zyrtarisht fushë e operacioneve të Gardës Revolucionare të Iranit, një prej forcave më të specializuara dhe të rrezikshme në botë për veprimtari subversive.
Vetë mënyra se si u mor dhe u shpall vendimi nga autoritetet më të lartë shtetërore në Iran, është një ultimatum posaçërisht për Shqipërinë që të largojë nga territori i saj organizatën politiko-ushtarake MEK dhe qeverinë iraniane në mërgim.
Kushti nr. 1 kur një vend iu jep strehim anëtarëve të një organizate subversive, siç është MEK, është që ata të zotohen zyrtarisht se do të ndërpresin veprimtarinë e tyre politiko-ushtarake në territorin e shtetit strehues, kundër shtetit të tyre.
Këtë duhet të kishte bërë së paku qeveria shqiptare kur vitin e kaluar pranoi të strehonte në territorin e saj të gjithë anëtarët e MEK (rreth 5000 vetë), ndryshe nga çfarë kishte qenë marrëveshja me SHBA në 2012, se vendi jonë do të strehonte një numër muxhahidinësh, sipas kuotës që do t’ i takonte nga një ndarje përpjestimore e tyre mes vendeve të NATO-s. Kjo ishte një gënjeshtër e burokratëve të Departamentit të Shtetit, të paguar nga lobi saudit, të cilët kishin bërë planin që t’ i strehonin në Shqipëri të gjithë muxhahidinët iranianë bashkë me qeverinë në mërgim të lideres së tyre, zonjës Rajavi.
Muxhahidinët iranianë jo vetëm që nuk kanë bërë zotime formale se do të ndërpresin veprimtarinë e tyre politiko-ushtarake pas strehimit në Shqipëri, por madje qeveria shqiptare, në një marrëveshje sekrete me lideren e tyre Rajavi, ka marrë përsipër që të lejojë që ata të përdorin Shqipërnë si bazë për të vazhduar veprimtarinë e tyre politiko-ushtarake kundër regjimit në fuqi në Iran.
Është fakt se marrëveshja me të cilën qeveria shqiptare ka marrë përsipër detyrimet e saj për strehimin e muxhahidinëve iranianë, dhe çfarë detyrimesh ka marrë përsipër nuk është bërë publike. Por nga veprimtaria që kryen zonja Rajavi në Shqipëri kuptohet se çfarë përmban kjo marrëveshje. Që prej marsit të këtij viti zonja Maryam Rajavi vetëshpallur Presidente e Iranit në mërgim, njëkohësisht kryetare e një organizate politiko-ushtarake të quajtur Muxhahidinët e Popullit Iranian, po e përdor Shqipërinë si qendrën e veprimtarisë së saj politike. Deri në mars zonja Rajavi e kryente veprimtarinë e saj në Francë, ku kishte gjetur strehim. Por tashmë Franca ia ka ndaluar veprimtarinë politike kundër Iranit në territorin e saj.
Ka një rregull të njohur në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kur një shtet strehon në territorin e vet një organizatë politiko-ushtarake që vepron për përmbysjen me dhunë e regjimit në fuqi në një shtet tjetër, ky shtet i dytë ka të drejtë të reagojë duke kryer sulme të dhunshme në territorin e shtetit të parë. Në këtë pozitë gjendet Shqipëria në raport me Iranin. Shqipëria dhe Irani kanë marrëdhënie diplomatike dhe të dy vendet në dokumentet bazike të marrëdhëniet dypalëshe janë shprehur për të mos dëmtuar njëri-tjetrin. Irani i është përmbajtur këtij zotimi, Shqipëria jo.
Është marrëzi që ta marrim lehtë këtë situatë, duke menduar se Irani nuk do të guxojë të ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë sepse i trembet ndëshkimit nga SHBA, apo se jemi vend anëtar i NATO-s. Pikësëpari, asnjë President amerikan nuk do të ndërmarrë një aksion ndëshkimor ushtarak ndaj Iranit për arsye se ky vend do të ketë ndërmarrë aksione terroriste-subversive në Shqipëri. Irani nuk do t’ i pohojë zyrtarisht ato, por edhe nëse nënkuptohet autorësia e tij, faji fillestar do t’ i mbetet Shqipërisë që veproi në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar sa i përket strehimit të emigrantëve politikë.
Pikërisht në këtë kohë kur ekziston më shumë se kurrë rreziku që të nisë lufta mes SHBA dhe Koresë së Veriut, nuk mund të hapet një front i ri kundër Iranit, dhe ky vend do ta shikojë këtë situatë sit ë përshtatshme për të vepruar lirisht kundër vendit që strehon armiqtë e tij kryesorë të brendshëm.
Iranit do t’ i mjaftonte të hidhte në aksion 50 kamikazë fanatikë për ta shndërruar Shqipërinë në një territor kaotik të përgjakshëm. Garda Revolucionare e Iranit mund të mobilizojë divizione të tërë me kamikazë fanatikë. Garda Revolucionare e Iranit ka në praktikën e saj që të përgatisë komando që njohin gjuhën dhe sjelljet e vendeve që përbëjnë kërcënim ndaj Iranit, për aksione eventuale ndëshkimore ndaj tyre. Kështu që prej disa vitesh në Iran janë duke u përgatitur intensivisht komando kamikazë që njohin gjuhën shqipe, si dhe vendin tonë. Garda Revolucionare e Iranit ka lidhje shumë të mira historike me shërbimet e fshehta të Ballkanit, atë rus etj. Nuk është e vështirë për të që t’ I futë operativët e saj në Shqipëri.
Shqipëria është praktikisht në gjendje lufte me Iranin dhe kjo është një gjë që duhet marrë shumë seriozisht. Pikësëpari sepse qeveria shqiptare ka shkelur ligjet në fuqi në Shqipëri duke e bërë vendin bazë të një organizate që shpall se lufton për përmbysjen me dhunë të regjimit në fuqi në Teheran, çka e legjitimon Iranin të veprojë kundër vendit tone. (D.D/Shuplaka)