Prej këtij muaji është paralajmëruar fluks i madh i ikjes së punëtorëve shëndetësorë nga Kosova. Oferta të shumta për ta po vazhdojnë të vijnë nga shtetet tjera, kryesisht nga Gjermania, e cila edhe ka lehtësuar kriteret. Pagat e ulëta, kushtet e punës e mungesa e specializimeve thuhet se janë faktorët kryesorë të ikjes së punëtorëve shëndetësorë nga vendi, shkruan sot gazeta Zëri.
Fluksi i madh i ikjes së punëtorëve shëndetësorë nga Kosova ka vazhduar edhe gjatë këtij viti. Ky fluks paralajmërohet të shtohet edhe më shumë që nga ky muaj.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se Gjermania ka lehtësuar kriteret për mjekët e për infermierët kosovarë që ta japin kontributin e tyre në këtë shtet dhe se trendi i ikjes do të vazhdojë edhe më tej. Sipas tij, në rast se Ligji për Paga i cili parasheh paga më të larta për mjekët nuk kalon në këtë muaj, atëherë vendi do të jetë në një krizë humanitare.