Pashk Përvathi nuk është si gjithë të tjerat. Ai është një emër i njohur i pikturës në vendin tonë, piktor i madh. Dashurinë për penelin dhe telajon e ka ndjerë herët. Përvathi nuk ka patur mundësi që të ndjekë në kohë studimet e larta, ndaj, teksa kishte krijuar familje, madje ishte bërë edhe baba, ai vendosi t’i hyjë Akademisë së Arteve për pikturë monumentale. Sot ai është autor i dhjetëra ekspozitave të hapura, jeton në Lezhë, qytet ku edhe është lindur e rritur.
Piktorët shpesh kërkojnë qoshen e tyre të qetësisë dhe nuk kanë nevojë për zhurmën e metropoleve. Këtë gjë ka bërë edhe 59-vjeçari. Studioja e tij e dashur është natyra. Në këtë intervistë për gazetën Dita, piktori Përvathi, rrëfen rrugëtimin e tij në jetë.
Intervista:
-Pashk, si ka qenë fëmijëria juaj dhe sa shpesh e kujton atë?
Unë linda në Manati të Lezhës. Një vend afër qytetit, buzë rrugës automobilistike, në fushë rrëzë malit. Prej katit të dytë të shtëpisë time shikoja diellin në mbrëmje kur “mbytej” në det. Në fëmijëri u sollëm si fëmijë, por edhe si të rritur. Ishim të lirë, pa trysninë e prindërve e kujdesin e tepruar të tyre, të varfër, pa lodra, por të kalitur fizikisht prej punës në ndihmë të prindërve. Më pëlqente loja me top, por edhe llastiqet në dimër, nuk kisha talent për aktrim, por dëshirën për të vizatuar e kisha që në klasën e parë fillore. Në vendin ku jetoja, kishte burra të ditur, por edhe një legjendë trimërie qarkullonte. Në vitet ‘30-të, një trim afër shtëpisë time kishte vrarë kuçedrën në zhegun e drekës tek çezma e fshatit. Marka Fana, një personazh donkishotesk, me mjekrën e gjatë, trastën me gurë e thikë në brez, qarkullonte rrugëve të fshatit duke thënë: “Jam Marka Fana, mbreti i Arabisë”. Ai e kishte mposhtur frikën e regjimit, ishte bërë Heroi ynë. Unë u rrita mes këtyre ngjarjeve dhe mundësive.
-Kur mendoni se e kuptuat se kishit talent për të vizatuar?
Nganjëherë ne jemi produkt edhe i rrethanave. Jeta t’i servir ose t’i heq mundësitë. Unë isha vetëm 7 vjeç kur i pozova një piktori për portretin tim. E kishte sjellë im atë në shtëpi. Të nesërmen përpiqesha të vizatoja gjyshen time nën shembullin e xhaxhi piktorit. Në klasën e katërt fillore isha i shtruar në spital në Shkodër. Mbaj mend se aty ju pikturova të rriturve letrat spathi J, Q, K. Njëri nga ata, mësues nga Lezha me emrin Burhan Golemi me tha: “Ty do të bëjmë piktor”. Nga ajo ditë nisi ëndërrimi im për profesionin që kam sot.
-Pra po thoni se e ardhmja juaj u shënjua që herët?
Po, u shënjua që herët, por nuk kam qenë fort me fat në rrugëtimin tim të hershëm. Në Lezhë nuk kishte piktor profesionist. Kishim një mësues vizatimi nga Shkodra që më shumë ishte pasionant se sa profesionist. Njohuritë bazë më mungonin. Thjeshtë mundohesha në mënyrën time të vizatoja saktë gjerat përreth. Më vonë nuk bëra Liceun Artistik, por Shkollën e Kulturës. Kjo nuk ishte shkollë me kualitet dhe eksperiencë siç ishte Liceu. Edhe këtu u formuam me mangësi profesionale.
-Ju përfunduat Akademinë e Arteve për pikture monumentale më vonë se moshatarët e tu. Pse?
Akademia ishte ëndrra ime e mbetur në sirtar. Kisha dështuar në konkurrimin pas shkollës së mesme dhe më ishte krijuar dyshimi se vetëm ëndërr do më mbetej. U martova dhe u bëra baba i dy djemve në moshë të re. Ndërkohë që punoja pikturë dhe merrja pjesë rregullisht në ekspozitat lokale dhe kombëtare, kryesisht në gjininë e peizazhit. Kjo mendoja se do të ishte statuskuoja ime për të ardhmen e krijimtarisë time. Në botën ku jetojmë ka edhe njerëz të mirë. Profesori i Akademisë së Arteve Petro Kokushta dhe Sekretari i Lidhjes për pikturën Kujtim Buza u bënë nismëtarët që unë duhet të shkoja në shkollën e lartë. Por vulën ja vendosi nëna ime. Më tha: “Fol me gruan tënde dhe ndiq ëndrrën për shkollimin”. Këtyre njerëzve të mirë gjithnjë ju kam qenë mirënjohës. Ndoshta pa nxitjen e tyre nuk do ta kisha marrë kurajën që të shkoja në shkollë në moshën 28-vjeçare.
-Arti, por sidomos piktura, thonë shpesh që është një profesioni nga e cili e ke të vështirë, jo vetëm të gjesh një punë, por edhe të sigurosh të ardhura. Ju sa të vështirë e keni patur?
Vendi ynë nuk të krijon shumë mundësi punësimi. Unë, por edhe shumë kolegë të mirë kemi preferuar më shumë të punojmë si artistë të lirë se sa të gjejmë një punë. Gjetja thjeshtë e një pune për një krijues të mirëfilltë është asfiksi në profesion. Ne u shkolluam për t’u bërë piktorë dhe të pikturosh në pavarësinë tënde gjithë kohën e kohës është mundësi e madhe. Unë prej viti 1994 punoj si piktor i lirë. Populli ynë mund të jetë i varfër, por ama artdashës është. Edhe veprat e mija kanë zënë vend në shtëpitë e tyre dhe kjo më ka ndihmuar të pikturoj dhe të jetoj me këtë profesion si i lirë. Gjithashtu kam bërë edhe shumë ekspozita personale këtu në Shqipëri, por edhe jashtë vendit.
Piktura ka disa gjini, ju çfarë keni zgjedhur dhe pse?
Në rininë time, në moshën 21-vjeçare mora pjesë për herë të parë në ekspozitën kombëtare të vitit 1979 me peizazhin “Vjeshtë në Manati”. Duke mos e synuar atëherë shkollimin, mendova se rruga më e mirë është të mbetem deri tek peizazhi si gjini e trajtuar prej meje. Këtë vendim ma sugjeronte marrja pjesë në ekspozitë kombëtare. Në fakt po këto peizazhe nxitën miqtë e mirë që unë të shkollohesha. Edhe diplomën e mbrojta me peizazhe për të treguar se kjo ishte rruga ime edhe në krijimtarinë e ardhshme. Por unë kam trajtuar edhe portretin dhe natyrën e qetë. Me këto dy motive kam bërë dy ekspozita vitet e fundit.
-Pashk, ju jeni fitues i disa çmimeve, gjithashtu keni hapur me dhjetëra ekspozita, çfarë do të thonë për ju këto arritje?
Unë kam punuar shumë gjithnjë. Kam hapur 38 ekspozita personale brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ekspozitat janë ballafaqime dhe unë nuk kam pasur frikë nga ekspozimi. Ekspozimi është mundësi për të testuar veten tënde. Mua kjo më ka ndihmuar për t’u orientuar. Nuk kam qenë i tunduar nga çmimet apo titujt, por kur ato vijnë e natyrshëm unë s’kam pse bëj modestin e shtirur, por e them hapur: Më kanë pëlqyer kur ato më janë akorduar. E kam marrë si një konfirmim të të gjithë rrugëtimit tim piktorik.
-Në shumicën e realizimeve tuaja, ngjyrat e ngrohta i shohim si preferencë tuajën…?
Vetë piktura është marrëdhënie ngjyrore. Në krijimet e mia potenca e ngjyrës ka ardhur në ngritje. Dikur preferoja ngjyrat opake si okren umbren dhe grinë, por me kalimin e viteve dhe fitimin e sigurisë, paleta ime u pasurua me një gamë me të larmishme ngjyrash. Me zhvendosjen e gjeografisë time të pikturës në zonën e Himarës, të Vithkuqit në Korçë, në Theth dhe Valbonë, pasuria ngjyrore erdhi natyrshëm në peizazhet e mija. Janë motive që të sugjerojnë të ndjekësh marrëdhënien ngjyrore të natyrës aq shumë të ekuilibruar. Unë kështu kam bërë, por e kam zhvilluar edhe më tej duke krijuar raporte të reja mbi një realitet ekzistues. Vithkuqi mbetet në krye të vendit për bukurinë natyrore të vjeshtës.
-Problematika që has sot tregu i artit pamor, parë në këndvështrimin tuaj?
Nuk ka treg të artit të organizuar në Shqipëri. Unë, por dhe kolegët e mi, presim të na vizitojë në studion e apo ekspozitën që hapim ndonjë koleksionist apo ndonjë artdashës që në rastin më të mirë dhe mund të blejë ndonjë vepër. Kjo është fakultative dhe kështu po vazhdojmë. Ne na mban dëshira për t’u marrë me këtë profesion të bukur pa e parë në këndvështrimin se sa po e gjen rrugën e tregut vepra që bëjmë. Edhe ne jemi në sinkron me kohën që jetojmë. Vështirësi gjithandej.
–Si funksionon rrjeti i galerive të artit në vend dhe sa hapësirë gjejnë piktorët në to?
Këtu jemi mbrapa. Ka fare pak galeri në Tiranë që të mundësojnë ekspozimin. Në rrethe situata është edhe më e rëndë. Më mundon kjo gjendje.
-Pashk, si është shtëpia juaj, studioja juaj e punës….?
Studioja ime e vërtetë është natyra. Peizazhet i realizoj dhe përfundoj direkt në natyrë. Por unë kam edhe studio të mirë për të punuar dhe ambiente të bollshme ekspozimi. Pak vite më vonë këtu do të kem dhe një galeri me punët e mia më të zgjedhura që i koleksionoj prej shumë vitesh. E kam edhe në një vend të spikatur në qendër të Lezhës. Ndoshta kjo ka qenë dhe arsyeja pse unë nuk e kam parë Tiranën si një mundësi transferimi me gjithë pyetjet e herëpashershme që më bëhen.
-E vërtetë, si është kjo historia juaj? Pse vazhdoni të jetoni në Lezhë dhe nuk keni ardhur në Tiranë?
Piktura është art individual. Ne nuk jemi si muzikantët apo aktorët që kanë nevojë për shumë kolegë për të realizuar një vepër. Duke qenë kështu unë ndjehem mirë në studion time të madhe në Lezhë. Në Lezhë unë jetoj, por karriera ime është zhvilluar në Tiranë. Ekspozitat i bëj po në Tiranë. Është koha e internetit dhe distancat janë zvogëluar shumë. Pra unë nuk jua kam lakmi dy djemve të mi që jetojnë në shtëpitë e tyre në Tiranë. Unë kam zgjedhur të qëndroj edhe në të ardhmen afër kësaj studioje dhe shtëpie që kam në Lezhë.
-Çfarë ju frymëzon kur merrni penelin dhe pikturoni?
Më frymëzon një pamje e natyrës, një detaj i saj, një penelatë e hedhur bukur në telajo që e ruaj deri në përfundim të veprës, një linjë muzikore, ndoshta klasike në sfond gjatë pikturimit. Frymëzimi nuk është nocion abstrakt. Ai ndodh ose nuk ndodh. Kur ndodh është mundësia për vepër të mirë.
-Po piktura që keni më shumë për zemër?
Kam disa të tilla. Por veçmas do dalloja “Mozaik në Bregun e Himarës”. Është një realizim që ka ndikuar shumë në krijimtarinë time pas viteve ‘90-të. Bashkë me këtë vepër kam peizazhe vjeshte nga Vithkuqi, por dhe gështenjat e Reçit.
-Pashk, cila është familja juaj dhe a kanë lidhje ata me artin?
Si familje jemi të lidhur me artin. Djali im i madh është piktor. Ka zgjedhur një mënyrë tjetër të shprehuri. Është ndryshe nga unë rrënjësisht. Piktura e tij është abstrakte, por e bukur si realizim dhe ka pasur mjaft sukses vitet e fundit. Kjo më ka gëzuar sepse ai tashmë meriton të quhet piktor i vërtetë. Djali tjetër është arkitekt. Edhe ai kishte talent, por e menduam se do të ishim shumë tre vetë në një familje. Sot mendoj se patëm gjykuar gabim. Nëna e dy djemve të mi dhe bashkëshortja ime është stomatologe, por ka qenë mbështetësja më e madhe në rritjen time krijuese. Ajo është kritikja e parë e veprës time.
Çfarë bën një piktor si ju kur është i mërzitur?
Mërzinë mirë është ta kemi sa më rrallë. Por jemi qenie njerëzore dhe do kemi edhe mërzitje. Si ia bëj? Ndoshta dal në tarracën e shtëpisë ku kam një kopsht me lule të shumëllojta, pemë dekorative dhe frutore dhe ju shërbej. Aty kam edhe “Takun”, macen e shtëpisë që më shoqëron gjithnjë nga shkoj nëpër tarracë. Jam qenie që përshtatem shpejt, por padrejtësia më mundon.
-Nëse do e pikturonit Shqipërinë në këto momente, si do të ishte tabloja e saj?
Peizazhin shqiptar edhe në kohën më të vështirë të tij e kam trajtuar me notat e së bukurës. Shëmtimi nuk është në natyrën time, pavarësisht se Shqipëria shumë është shëmtuar në vitet e tranzicionit. Kjo është arsyeja pse unë shkoj në vendet larg “qytetërimit” të sotëm për të pikturuar. Megjithatë unë e dua vendin tim dhe tabloja e tij do ishte sigurisht me elementë të së bukurës. (J.V/Shuplaka)