Një ndër pyetjet që iu drejtua kryetarit të ri të LSI-së, Petrit Vasilit, ishte qëndrimi i partisë që ai do të drejtojë në krizën politike që ka përfshirë vendin, ku Partia Demokratike kërkon qeveri teknike si mënyrën e vetme për të zgjidhur krizën.
Ai u shpreh se qëndrimi i LSI-së është dhe do të vazhdojë të jetë i njëjtë. LSI sheh mundësinë e zgjedhjeve të ndershme vetëm përmes sakrificës.
Vetëm pak më parë Kryeministri Rama bëri publike ofertën që i është bërë Opozitës, në një takim ku në fakt edhe ju keni qenë pjesë e negociatave me McAllisterin, ndërkohë Opozita nga ana e saj paralajmëroi protestën e madhe që pritet të mbahet në datë 7 maj në Kavajë. LSI-ja e ka deklaruar që nuk do të jetë pjesë në Kavajë. Si i shikoni ju këto dy situata dhe si mund të dilet: propozimi i kryeministrit dhe ajo që pritet të ndodhë të dielën në Kavajë?
Sigurisht që është një situatë krize politike, këtë nuk kemi arsye pse ta fshehim. Është një krizë politike, që kërkon në radhë të parë maturi dhe largpamësi.
Maturi për t’u menduar e për t’u matur në çdo veprim që ndërmarrim, e largpamësi për të kuptuar se çfarë efekti kanë të gjitha veprimet e sotme për të ardhmen e vendit. Ndaj, ne e kemi inkurajuar dhe jo vetëm e kemi inkurajuar, por edhe kemi qenë në dispozicion të çdo zgjidhjeje që siguron zgjedhje me standarde të lira, standarde të ndershme e zgjedhje të lira e të gjithëpranuara.
Dhe jorastësisht edhe dje në fjalën time, pas zgjedhjes si kryetar i LSI-së, kam theksuar me të njëjtën gatishmëri dhe sinqeritet që në funksion të kësaj zgjidhjeje kemi vënë të gjitha postet e përfaqësimit tonë politik deri në nivelin më të lartë të tyre, kam riafirmuar një qëndrim që ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka bërë më parë.
Kjo vijë sjelljeje nuk ndryshon. Kemi të njëjtin pozicion për këtë çështje, pasi asnjë sakrificë nuk është e rëndësishme dhe e madhe në raport me rëndësinë e jashtëzakonshme që ka mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme e me standarde të gjithëpranuara. Pasi ky do të thotë konsolidim demokratik i vendit, do të thotë një ecje përpara e procesit të integrimit evropian dhe siguron hapjen dhe jo izolimin e Shqipërisë. Kështu që, ky ka qenë dhe mbetet pozicioni ynë edhe në këtë moment, edhe në orët dhe në ditët në vijim.
(XH.A/SHUPLAKA)