Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ishte sot në Elbasan dhe mbajti fjalën në nder të 32-vjetorit të themelimit të degës së këtij qyteti.
Ai theksoi se PD-ja ka kaluar periudha të vështira, por gjithmonë ka ditur të rikthehet më e fortë se kurrë dhe baza për këtë shtoi Berisha ka qenë besimi te vota e lirë.
Kryedemokrati u ndal shkurtimisht në rrugëtimin e PD, ndërsa tha se viti që lamë pas ka qenë ndoshta një nga periudhat më të vështira të PD, por kjo shtoi Berisha nuk i gjunjëzoi demokratët, që të ringriheshin në lartësinë që u takon.
“Asgjë nuk na mposht ne në idealet tona, asgjë! U bë gjithçka që të dështonte revolucioni në ’90, por ai triumfoi në mënyrë paqësore, por ne ishim për ndryshime epokale,paqësore dhe ne e realizuam U bëmë copë në ’98, u ngritën si Feniksi nga hiri, përsëri me idealet tona dhe ata që na erdhën në pushtet i përzumë me votën e lirë. Ne jemi njerëzit që i besojmë votës së lirë dhe ne armën kryesore kemi votën, votën, dhe votën e lirë. PD kaloi një periudhë të pashembullt, ndoshta ndonjëherë dhe e vërtetë është që ajo përfundoi para alternativës të jesh apo të mos jesh, sepse njeriu që sot drejton ekzekutivin shqiptar është një individ, politikan, që s’ka asnjë vlerë,parim, ideal dhe asnjë besim, njëri i cili u vërsul mbi opozitën dhe shfrytëzoi dobësinë e drejtimit të saj dhe mori peng kreun e saj. Shkatërroi votën e shqiptarëve, u rrëmbeu votën shqiptarëve, e zhvlerësoi votën, e përzuri votën nga partia e tij, bëri që edhe në partinë tonë që 1958 të quhet 5200. Ky ishte realiteti, por ne prapë u ngritëm me idealet tona. U ngritëm në një mision, që shumë e shikonin si mision të pamundur, por jo,ne patëm si levë e Arkimedit përsëri lirinë dhe idealet tona”, tha ai.
I pranishëm në këtë 32-vjetor të degës së Partisë Demokratike në Elbasan ishte dhe aleati i Sali Berishës, konkretisht kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta.
Sipas Berishës, aleanca me PL-në është e shkëlqyer dhe të gjithë forcat opozitare shtoi ai janë të mendimit se qeveria e Edi Ramës duhet të rrëzohet “një orë e më parë”.
“Ne kemi në aleancë më PL dhe partitë opozitare që besojnë se ky regjim duhet përmbysur një orë e më parë. Diktatori e Enver Hoxhës u privoi lirinë shqiptarëve, por Edi Rama e shndërroi lirinë në liri fiktive për shqiptarët. Për së kohë sa shqiptari nuk voton i lirë, liria është një zbrazëti”, tha Berisha.
(Nijazi Mema/FaxWeb)