Partia Demokratike ende nuk i ka plotësuar mangësitë e listave të saj për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Kreu i ri i KQZ Klement Zguri u shpreh se dje i ishte lënë afat PD-së 24-orë për t’i plotësuar por ende nuk ka plotësime për listat e paplota.
Anëtari i Komisionit, Bledar Skënderi tha se procesi duhet shtyrë duke i vënë afat kohor tjetër PD-së.
“Dje na u komunikua që listat duhet të vinin. I dhamë 24 orë kohë për të plotësuar mungesat subjektit zgjedhor. Sot jemi në kushtet që nuk është paraqitur nga subjekti asnjë shtesë për listat, që është i nevojshëm. Të ndodhur në këto kushte, duhet të shtyjmë më tej procesin, të hedhim shortin për fletët e votimit, dhe pastaj presim PD-në të na dorëzojë listat,” tha Skënderi.
Nesër është afati i fundit për versionin final të fletës së votimit e cila do të përdoret për zgjedhjet.
KQZ ka shtyrë sot afatin deri nesër në orën 9:30 të mëngjesit për PD-në që të sjellë listat e munguara.
Nesër në orën 10 do të hidhet shorti i fletës së votimit me subjektet përkatëse që garojnë në 25 qershor. (M.D/Shuplaka)