Detaje të reja dalin në dritë nga pengmarrja dhe më pas eleminimi i Jakë Prengës, ndodhur pak ditë më parë në zonën e Shijakut.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se porositja e pengmarrjes së Prengës është bërë nga Dritan Rexhepi, i cili vuan dënimin në një burg të sigurisë së lartë në Ekuador.
Dyshohet se Rexhepi nga burgu ekuadorian, në bashkëpunim me M. Bajri, Gentian Doçin dhe K. G., porositi pengmarrjen dhe vrasjen e Jak Prengës, 49 vjeç, baba i pesë fëmijëve. Prej më shumë se një dekade Dritan Rexhepi ka qenë në listën e më të kërkuarve, por ai ka mundur të arratiset si nga burgjet italiane ku ishte duke vuajtur një dënim, si dhe të shmangë arrestimin nga autoritetet spanjolle, belge, e britanike, për t’u kapur vetëm në vitin 2014 në Ekuador.
Astrit Prenga, vëllai i Jak Prengës, nuk kishte dorëzuar një ngarkesë prej rreth 300 kg lëndë narkotike kokainë te grupi kriminal i Dritan Rexhepit në Britaninë e Madhe.
Për rrjedhojë dyshohet se banda urdhëroi marrjen peng të 49-vjeçarit për t’i bërë shantazh vëllait të tij, Por për shkak të dhunës së ushtruar, babai i pesë fëmijëve ka ndërruar jetë përpara se të dërgohej në vendin ku do të mbahej peng, në resortin e familjes Hajri në Shijak.
Në Shqipëri i dënuar me 25 vite burg
Në Shqipëri ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy policëve. Në vitin 1999 Rexhepi u hetua dhe më pas u akuzua për vrasjen e policëve Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998 në Fushë-Krujë, ku së bashku me të u akuzuan edhe disa persona të tjerë. Në ngjarje, rastësisht u vra dhe pronari i një lokali në Krujë, Raim Bakiasi.
Mjeshtri i arratisjeve
Ai kishte arritur të arratisje nga komisariati i Durrësit, ku ishte ndaluar në vitin 2006, dhe në vijim Rexhepi është arratisur edhe nga burgjet në Itali e Belgjikë, duke u kthyer në një prej personave më të kërkuar nga Interpoli. Në vitin 2014, Shqipëria i kishte kaluar Ekuadorit dosjen për ekstradimin e vlonjatit Rexhepi. Në fakt në garë për ekstradimin e tij janë edhe shtete të tjera të Europës si, Italia, Spanja apo Britania e Madhe, vende në të cilat akuzohet për vepra të rënda penale.
Në Spanjë në korrikun vitit 2011, Rexhepi do të shpallej në kërkim për grabitjen e një prej bankave më të mëdha në Barcelonë. Grabitjen shqiptari e kishte kryer në një natë magjike për katalanasit, pikërisht në momentin kur gjithë Katalonja gjendej në shesh duke festuar fitoren e “Champions Lige”-s nga Barcelona. Rexhepi u kërkua për ekstradim nga 4 shtete.
Arrestimi në Ekuador me 278 kg kokainë
I shumëkërkuari u arrestua në Katalunja të Ekuadorit në vitin 2014, tre vjet pas arratisjes spektakolare nga një burg i Belgjikës. Shqiptari ishte ndaluar që në fund të muajit qershor nga policia e Ekuadorit, si pjesë e një grupi që u kap me 278 kilogramë kokainë. (E.K/Faxweb.al)